KE vendosë tarifa shtesë për makinat elektrike nga Kina

Komisioni Evropian ka vendosur përkohësisht detyrime shtesë për importin e makinave elektrike të prodhimit kinez.
Në varësi të prodhuesit, tarifat shtesë variojnë midis 17.4 dhe 37.6 për qind, krahas një takse importi prej 10 për qind tashmë të vendosur. Tarifat e përkohshme do të jenë të vlefshme nga nesër e premte dhe vendimi përfundimtar duhet të merret në fillim të nëntorit në mënyrë që negociatat me Kinën të vazhdojnë deri atëherë.
Sfondi i vendimit janë pretendimet se prodhuesit kinezë përfitojnë subvencione të mëdha në kurriz të prodhuesve evropianë. Hetimi i Komisionit e konfirmoi këtë dhe në mesin e qershorit autoritetet njoftuan tarifat shtesë të përkohshme. Negociatat me autoritetet dhe prodhuesit kinezë vazhduan deri në fillim të korrikut.
Kina është e gatshme të pushtojë tregun evropian të makinave
“Konsultat me qeverinë kineze janë intensifikuar javët e fundit,” tha Komisioni të enjten. Nënkryetari i Shërbimit të Tregtisë së Jashtme Valdis Dombrovskis ka qenë gjithashtu në kontakt me ministrin kinez të Tregtisë Wang Wentao.
Tarifat shtesë tani janë pak më të ulëta se sa ishte paralajmëruar fillimisht. Për prodhuesin kinez BYD norma duhet të jetë 17.4 për qind, për grupin Geely është planifikuar 19.9 për qind dhe për SAIC norma maksimale është 37.6 për qind. Kompanitë si BMW ose Tesla duhet të presin një tarifë shtesë prej 20.8 përqind kur eksportojnë nga Kina në BE.
Industria gjermane e makinave, si dhe qeveria federale dhe kancelari Olaf Scholz (SPD) janë shumë kritikë ndaj tarifave shtesë. Ata i frikësohen efekteve të drejtpërdrejta mbi kompanitë vendase, si dhe kundërmasave të mundshme nga pala kineze – duke përfshirë edhe një luftë të hapur tregtare. Shpresa e tyre tani qëndron në bisedimet e mëtejshme me Pekinin.
Makinat elektrike të prodhuara në Kinë përbëjnë gati 22 për qind të tregut evropian. Markat kineze aktualisht përbëjnë tetë për qind të makinave elektrike të shitura në BE.