Aleksandar Janev është drejtori i ri i Byrosë së Sigurisë Publike

Qeveria në seancën e sotme, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka emëruar për drejtor të ri të Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janevin. Ai zëvendëson Sasho Tasevskin i cili ishte vendosur në këtë post pak pasi kishte mbrojtur Zoran Zaevin gjatë trazirave të 27 prillit të vitit 2017 në Kuvend.
Në aktin e dorëzimit të pozitës, drejtori Janev theksoi se vizioni i tij është përmirësimi i cilësisë së shërbimeve policore dhe forcimi i sigurisë së të gjithë qytetarëve.
“Siguri pa kompromis, me një standard të lartë profesionalizmi dhe përkushtimi të punonjësve të policisë. Ne do të punojmë me integritet dhe përkushtim për të përmirësuar sigurinë e të gjithëve. Me transformimin dixhital, ne do të optimizojmë përdorimin e teknologjisë, duke siguruar komunikim dhe siguri më të mirë të informacionit. Një luftë e palëkundur kundër korrupsionit, me transparencë dhe llogaridhënie, me të cilën do ta ngremë besimin e qytetarëve në polici”, thekson Janev.