260 mijë gra me sigurim shëndetësor pa gjinekolog amë

Të dhënat nga raporti vjetor i Fondit për Sigurim Shëndetësor për vitin 2022 thonë se numri i grave pa gjinekolog amë të përzgjedhur, por me sigurime shëndetësore është rreth 260 mijë, ndërsa numri i atyre pa sigurim shëndetësor, rreth 134.000.
Ekzaminimet parandaluese gjinekologjike janë vendimtare për shëndetin riprodhues të grave. Megjithatë, të dhënat e institucioneve dhe shoqatave shëndetësore tregojnë se në vendin tonë nuk janë të pakta ato gra që nuk kanë zgjedhur gjinekologun amë dhe ato që nuk vizitojnë gjinekologun për një kohë të gjatë. Punonjësit shëndetësorë në vend janë të njëzëshëm se është e nevojshme të ndërgjegjësohet për këtë çështje dhe të rritet numri i punëtorive dhe edukimeve në shkolla, sa i përket shëndetit të grave.
Të dhënat nga raporti vjetor i FSSH për vitin 2022 thonë se numri i grave pa gjinekolog amë të përzgjedhur, por me sigurime shëndetësore është rreth 260 mijë, ndërsa numri i atyre pa sigurim shëndetësor, rreth 134.000. Pra, nëse merret parasysh se në vend 50.4 për qind e popullsisë së regjistruar aktive janë gra, atëherë numri i grave me sigurim shëndetësor, por pa gjinekolog amë të përzgjedhur, arrin në rreth 28 për qind.
Ndërkaq, profesor dr. Gligor Tofoski, kryetar i Shoqatës së Gjinekologëve dhe Obstetërve të Maqedonisë konfirmoi se shifra të ngjashme ka edhe në anketat e bëra nga Shoqata.
“Vetëm 33 për qind e grave të anketuara në disa komuna të vendit tonë kryejnë kontrolle të rregullta gjinekologjike çdo vit. Më shumë se 30 për qind nuk e kanë vizituar gjinekologun amë për më shumë se tre vjet, madje 25 për qind nuk e kanë zgjedhur gjinekologun amë, pjesërisht për shkak se nuk kanë gjinekolog amë në komunat ku jetojnë, ose i njëjti ka dalë në pension”, tha Tofoski.
Nga ana tjetër, në komunën e Shuto Orizares punon vetëm një gjinekolog dhe numri i grave në periudhën riprodhuese është rreth 8 mijë, sipas të dhënave që disponojmë. Ndërkohë, mjeku amë atje njoftoi se ka 2.000 pacient, ku 1.000 gra nuk kanë as sigurim shëndetësorë.
Ndryshe, sipas raportit të fundit të FSSH-së për vitin e kaluar, gjatë vitit 2023, gjithsej 161 gjinekologë kanë ofruar kujdes parësor shëndetësor për të siguruarit. Krahasuar me një vit më parë, numri i mjekëve gjinekologë është rritur me dy mjekë. Numri më i madh i gjinekologëve është në rajonin e Shkupit, 56 mjekë, ndërsa numri më i vogël është në rajonin verilindor me 12 gjinekologë. Në vitin 2023 janë lidhur gjithsej 142 kontrata në kujdesin parësor shëndetësor për gjinekologji. Numri më i madh i kontratave janë lidhur në rajonin e Shkupit me 49 kontrata, që paraqet 35 për qind të gjithsej kontratave të lidhura në FSSH – gjinekologji. Ndërsa, më pak kontrata janë lidhur në rajonin e Pollogut ose 1.05 për çdo 10 mijë të siguruar.



