PRITJES I ERDHI FUNDI! Sot nis “Euro 2024”, ndeshja hapëse Gjermani-Skoci

Mbrëmjen e sotme do të nisë kampionati europian “Euro 2024”, me ndeshjen hapëse mes Gjermanisë vendase përballë Skocisë, e cila do të startojë në orën 21:00 në stadiumin “Allianz Arena” të Mynihut.
Siç është tradita, natën e parë luhet vetëm një ndeshje, ajo e vendit organizator, teksa më pas mbrëmjen e nesërme do të kemi tre përballje të tjera; ndeshja tjetër e grupit A, ajo mes Hungarisë dhe Zvicrës, si dhe dy ndeshjet e grupit B, ku bën pjesë dhe kombëtarja kuqezi, Spanjë-Kroaci dhe Itali-Shqipëri.
Edicioni që do të mbahet në tokën gjermane do të jetë i 17-ti në histori që është planifikuar të mbahet nga 14 qershori deri më 14 korrik 2024. Italia është kampionia në fuqi për t’u mundur.
16 turnetë e kaluar të kampionatit europian janë fituar nga 10 ekipe kombëtare: Gjermania dhe Spanja kanë fituar secila nga 3 trofe, Italia dhe Franca kanë fituar nga 2 trofe dhe Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia, Holanda, Danimarka, Greqia dhe Portugalia kanë fituar nga një trofe. Deri më sot, Spanja është kombëtarja e vetme që ka fituar dy kampionate europiane të njëpasnjëshme, duke e bërë këtë në vitin 2008 dhe 2012.
Edhe pse është vendi pritës, Gjermania nuk është favoritja kryesore për ta fituar trofeun, pasi nuk ndodhet në ditët e saj më të mira. Toni Kroos pritet të jetë lojtari kryesor i “pancerave”, që do t’i japë lamtumirën e fundit futbollit të luajtur pas kampionatit Euro 2024. Emrat e tjerë me peshë në kombëtaren gjermane janë Gundogan, Neuer, Muller, Rudiger dhe Kimmich, teksa nuk i mungojnë dhe talentet premtues si Musiala, Schlotterbeck dhe Wirtz.
Sa i përket Skocisë, kjo është pjesëmarrja e katërt e tyre në një kampionat europian, pas atyre të viteve 1992, 1996 dhe 2020. Skocezët nuk e kanë kaluar asnjëherë grupin, teksa do mundohen ta bëjnë këtë gjë. Me gjermaninë favorite të grupit, ata shohin si rivalë të tyre për t’i mundur Zvicrën dhe Hungarinë.
Elementët më të rëndësishëm të ekipit skocez mbeten Robertson (mbrojtësi i majtë i Liverpool), McTominay (mesfushori i Manchester United), playmaker Billy Gilmour (Brighton) dhe qendërmbrojtësi i Real Sociedad, Kieran Tierney.
Gjermani (4-2-3-1): Neuer; Kimmich, Rudiger, Schlotterbeck, Raum; Andrich, Kroos, Gundogan; Musiala, Wirtz; Havertz. Tr. Nagelsmann.
Skoci (3-4-2-1): Gunn; Porteous, Hendry, Tierney; Ralston, McGregor, Gilmour, Robertson; McGinn, McTominay; Adams. Tr. Clark.



