Biden: Spitali më i madh në Gazë duhet të mbrohet

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se spitali më i madh në Gazë, Shifa “duhet të mbrohet”. Luftimet midis forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit, kanë bërë që spitali të rrethohet, duke detyruar mijëra persona që të largohen.
“Shpresa dhe pritja ime është që të ketë veprime më pak ndërhyrëse” nga forcat izraelite, tha Biden në Zyrën Ovale.
Qe tre ditë, spitali Shifa ka mbetur pa rrymë dhe ujë, përderisa luftimet me armë zjarri dhe bombardimet jashtë ndërtesës së spitalit e kanë bërë edhe më të vështirë situatën.
“Ne nuk duam të shohim luftime në spitale”, tha këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
“Ne duam që pacientët të jenë të mbrojtur. Ne duam që spitalet të jenë të mbrojtura. Ne kemi biseduar me Qeverinë izraelite për këtë çështje dhe ata kanë thënë se ndajnë mendimin se nuk duan të shohin luftime në spitale”.
Sullivan tha se nuk ka përgjigje të lehta lidhur me atë se si Izraeli shtyn përpara operacionet ushtarake rreth spitaleve, por shtoi se këto pyetje janë për ushtrinë izraelite e jo për SHBA-në.