Taravari: Rastet e montuara ndaj shqiptarëve do të anulohen, dhe do të dëmshpërblehen

Kandidati për president nga koalicioni i partive opozitare shqiptare Arben Taravari, ka premtuar që me ardhjen në pushtet të këtij koalicioni, do të rishikohen, anulohen dhe dëmshpërblehen shqiptarët që janë dënuar në raste të montuara politike. Duke përmendur fillimisht rastin Monstra, pastaj Alfa, Brodeci, Lagja e Trimave dhe të tjera, Taravari tha se shqiptarët e pafajshëm nuk do të rrinë burgjeve padrejtësisht, raporton Alfax.

“Këtë javë, janë bërë 12 vjet nga montimi i rastit Monstra në lidhje me  vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës. Për këtë vepër të fabrikuar nga strukturat parapolitike, pesë shqiptarë të pafajshëm janë dënuar me burgim të përjetshëm ose me dënim maksimal. Nga ana e pushtetit, ky përvjetor u trajtua si të gjithë të tjerët: me heshtjen që e karakterizon faji. Monstra, Sopoti, Brodeci, Alfa, Lagja e Trimave dhe të tjera, janë që të gjitha emra që na e kujtojnë një plagë të hapur në shoqërinë tonë, atë të drejtësisë selektive që e shtyp shqiptarin. Ky sistem i padrejtësisë e ka bërë shqiptarin mish për top, për të qeruar hesape politike apo për të shtyrë përpara agjenda shoviniste saherë që dikujt i rrezikohet pushteti. Drejtësia selektive në rastet e montuara politike por edhe pandëshkueshmëria në rritje pas ndryshimit të Kodit Penal, na kanë sjellur në një gjendje ku vetëm 2% e qytetarëve i besojnë drejtësisë” ka thënë Taravari.

Kandidati për president i VLEN thotë se do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat ligjore si president i shtetit që të inicojë edhe formimin e një grupi ekspertësh ndërkombëtar të drejtësisë që do të veprojnë për gjashtë vite brenda sistemit të drejtësisë së shtetit për ta zhveshur nga prangat e politikës.

“Unë si President i Republikës, do të ndërmarr hapa konkret për zgjidhjen e rasteve të montuara politike dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Me koalicionin VLEN, do të kemi si top prioritet ngritjen e një gjyqësori të pavarur, efektiv dhe të drejtë, ku askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe askush nuk do të shtypet për shkak të përkatësisë kombëtare.  VLEN zotohet për krijimin e një trupe të përkohshme ekspertësh perëndimorë, kryesisht nga vendet evropiane, që do të integrohen në këshillat prokuroriale e gjyqësore të Maqedonisë së Veriut për një mandat gjashtëvjeçar. Kjo trupë do të monitorojnë punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve vendas. Por ata do të kontribuojnë edhe vetë si gjyqtarë e prokurorë”, ka thënë Taravari.

“Do të shtyjmë përpara ligjin për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe do të reformojmë në tërësi sistemin për zgjedhjen, avancimin, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik. Pas plebishit popullor të 24 prillit dhe 8 majit, në sistemin tonë të drejtësisë, nuk do të ketë më vend për gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe me mendësi jugosllave. VLEN do të bëjë evropianizimin e sistemit të drejtësisë, si kusht i domosdoshëm për të ndalur epideminë e korrupsionit dhe drejtësinë selektive. Ne mund të bëhemi vend anëtar i BE-së vetëm atëherë kur Gjykata e Tetovës dhe e Shkupit të jenë po aq të besueshme sa Gjykata e Berlinit apo Bonnit. Rrugë tjetër nuk ka. Me ardhjen e VLEN në pushtet, të gjitha viktimat e rasteve të montuara do të lirohen dhe do të dëmshpërblehen. Ndryshimi ka nisur dhe nuk ka të ndalur. Drejtësia VLEN sepse ajo është parakusht për shoqëri inkluzive, për demokracinë dhe për zhvillimin ekonomik”, shtoi Taravari.Alfax

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button