Franca do t’i dërgojë Ukrainës autoblinda të vjetra dhe raketa të reja

Franca do t’i dërgojë Ukrainës qindra autoblinda të vjetra dhe raketa të reja tokë-ajër, në mënyrë që Kievi t’i përdorë në luftën kundër Rusisë, tha ministri i Mbrojtjes së Francës, Sebastien Lecornu.
Në një intervistë për La Tribune Dimanche, Lecornu tha se presidenti francez, Emmanuel Macron, pas bisedës me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, i kërkoi atij të përgatitej për një paketë të re të ndihmës, që përfshinë pajisje të vjetra franceze, por ende funksionale.
“Ushtria ukrainase ka nevojë të mbrojë vijën e gjatë të frontit, gjë që kërkon autoblinda. Këto pajisje janë thelbësore për lëvizshmërinë e trupave dhe janë pjesë e kërkesave ukrainase”, tha ai.
Ai tha se Franca synon t’i japë Ukrainës qindra autoblinda të llojit VAB dhe dërgimi i tyre do të bëhet më 2024 dhe në fillim të vitit 2025. Ushtria franceze vazhdimisht zëvendëson mijëra autoblinda VAB, mjete të cilat për herë të parë u përdorën në fund të viteve ’70.



