Ditë e natë

Deri kur, Katilin, do të abuzosh me durimin tonë? Deri kur do të na tallë furia jote? Deri në çfarë mase do të shfaqet paturpësia jote e pangopur?” Kështu Ciceroni shprehi indinjatën kundër senatorit Katilin, ndaj atij që abuzonte me durimin e të tjerëve. Viti.63 para erës sonë…
Shkruan: Driton DEMIRI, Gostivar
Duke u menduar e mërmëritur, për një çast, vendosa të thurë një verigë fjalësh shtrënguar nëpër fjali, për të mos mëkatuar shpirtin. Për Zotin ashtu vendosa. Dhe ashtu është. Shpirtin duhet bekuar, jo për ta mëkatuar. Ndaj, mos mi ngulni sytë. Pranojeni se ashtu është. Mjaft! Ndaloni! Më duhen shumë sqarime. Mandej, mes shkreptimash, mundohem të zgjidh mendimet e mia, të shënuara, dhe nuk dua t’ju zhgënjej. Më duhet të pi dhe pak ujë, mundet të pini edhe ju, për arsye se, mund edhe të zhbëhemi deri në agim. Por, më intereson dhe mendimi juaj. Hajde, të vazhdoj, të shkoj më tej, për të mos u rrotulluar në vend, ngaqë mund të rrokullisemi e na kap marramendja. Situata goxha u nxeh! Një turr i papërmbajtur, një rrëmbim i vërtetë, po ndodh. Më pas, as veriga e thurur, as shpirti e as trupi në gjendje për tu bekuar. Dua të them, se, të mos, gënjehemi, pastaj, e ti humbim mendimet duke goditur me gjuhë cep e n’cep brendinë e gojës. Sikur me qenë memec. Për t’u mos u marrë shumë kohë, e për të mos më braktisur. Atëherë, të shkoj më tej, mos më kaplojë ndonjë brejtje ndërgjegjeje, se për shkak të humbjes së mendimit, nuk përmbusha parakushtin e mësimit dhe ligjëratës. Njëjtë, si Shekspiri, mjeshtri i fjalës, i cili u thotë të gjithëve diçka. Sipas tij Makbethi, i bën jetës, shumë zhurmë dhe tërbim, dhe më në fund pa asnjë domethënie. Ose Herakliti, filozofi i heshtur grek, që u përpoq të shpjegonte një mësim të tij; se asnjëri, nuk ka shkelur dy herë në një lum të njëjtë. Sepse lumi edhe pse lëviz, ai është i vdekur, shprehet 2500 vjet më pas, shkrimtari Jakov Xoxa, në prozën e tij, Lumi i vdekur. Megjithëqë, për ta kthjelluar mendjen, sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta, kështu e kishte zakon të shkruante poeti-diplomat kilian, përveç se ishte dhe politikan, Pablo Neruda. Por, ka kohë edhe për këtë. Ideologjikisht me Pablon nuk përputhemi, sepse ai ishte komunist, pavarësisht kontekstit kohor me të drejtë ose jo, por për poezitë ai është personalitet par excellence i shekullit 20ë. Tani, ngushtësisht jemi në kohë sërish të trazuar. Angullimat, klithësh, sapo kanë filluar. Ndonjëherë, ditë e natë, pa asnjë shqetësim vijnë kohë edhe më të vështira. E, në gjithë këtë lesh e li, ju harroni shpejtë, sepse nuk ju do mendja. Unë nuk e gjej veten në ato dokrra e sensacione që servohen ditë e natë e ditë për ditë. Dhe këtu është dallimi. Mos u ngazëlloni shumë e shumë, se pastaj u kap lugu i zemrës! Qëmoti, jam i bindur, se sa mund të më kuptoni. Përndryshe, askush nuk bën pjesë në skenën time. Por të paktën, njehsuar në gishta, nuk jam i vetëm.
Nisur nga kjo, gjithnjë e më gjerë. Sa për uvertyrë, për të mos vazhduar këtë depërtim shkarazi, Çërçili dëftoj, se gënjeshtrat më të mëdhaja ndodhin në para, dashuri dhe fushatë zgjedhore. Eh, çfarë është kjo kohë! Mishërohet keq bërja, në vend të shërbimit fisnik. Një manipulim mediatik e social. Një marrëzi! Aktrim, sipas një skenari (të shkruar), që nuk është ashtu. Që në fakt s’duhet të ekzistojë. Tani, shkelin mbi të gjallët ose jo?! Punojnë ndershmërisht ose nuk punojnë? Shenja e parë e marrëzisë është mungesa e turpit, thotë, Frojdi. Pushteti gënjen, sipërmarrja e shndërruar në oligarki gënjen, njerëzit gënjejnë,… e gënjehen. Aq më shumë në fushatë zgjedhore. Në fakt të gjithë gënjejnë. Gjërat, aspak,… hiç, nuk ndryshojnë.
Për sa u përket hollësive, te “Gjeorgjika” e tij, ku u thurë vargje bujqve, Virgjili, poeti antik romak, vargon, se, me fat është ai që mund të kuptojë shkaqet e gjërave, ndërsa një fragment vargu, tek po ajo Gjeorgjikë, ndërthuret siç është; ai që ka mundur të mësojë shkaqet e gjërave është i lumtur, dhe ka vendosur gjithë frikën, fatin e paepur dhe zhurmën e Akeronit të pangopur, nën këmbët e tij.
E, ç’ është e vërteta, nga ky referim; të gjitha sëmundjet fillojnë nga zorrët, pohon, doktor Hipokrati. Tej, në një rast tjetër, deklaron se ndonjëherë të mos bësh asgjë, është ilaçi më i mirë. Dhe sipas një parimi të tij, të pretenduar, së pari mos bëj dëm (primum non noncere), doktori ka detyrim moral t’i shërbejë me përkushtim interesave të pacientit. Ja, kjo, është dëshira ime më e madhe.
Fjala vjen, çfarë vijon më pas?
Vijon, “Satantango”, novela e autorit post modernist Laszlo Krasznahorkai ku e gjithë ngjarja ndodh në një vendbanim të rrënuar hungarez, i cili është afër një qyteti pa emër, por banorët janë pothuajse të izoluar nga bota e jashtme. Personazhi kryesor i quajtur Irimias një mashtrues i paraqitur si shpëtimtar, arrin një pushtet thuajse të pakufizuar mbi banorët. Detyron ata ti japin të gjitha paratë e tyre të fituara me vuajtje e vështirësi. Ua mbush mendjen të transferohen në një pronë të braktisur, afër, dhe më pas i sjell në qytet, ku i shpërndan në të gjithë pjesët. Qëllimi i gjithë shfrytëzimit është ti japë Irmiasit edhe më shumë para dhe pushtet.
Për të sensibilizuar tematikën, të mos kaptoj, më të rëndësishmen.
Nëse nuk ekziston ekuilibër mes tre grupeve, elementeve (njerëzve, të pasurve dhe pushtetarëve) siç i quan Makiaveli në veprën e tij Princi,… dhe mbizotëron vetëm një, demokracia do të kthehet në anarki, aristokracia në oligarki dhe monarkia në tirani. E, për demokraci përpiqen njerëzit, për aristokraci të pasurit dhe për monarki përpiqen pushtetarët, përcakton ai. Dhe, këtu, pushtetarët për të lënë në hije programet politike, abuzimin me fondet publike dhe kusarinë, veç më në para fushatë gënjejnë, mashtrojnë dhe frikësojnë si bolshevikët përgjatë viteve të 20a të shekullit të kaluar, me parullën e famshme “ne jemi për njerëzimin”, ndërkaq shkatërruan vetë njeriun, duke stigmatizuar atë me teserë. Aq më shumë, sa herë që marr të shtjelloj mendim, edhe më shumë, në lidhje me këtë çështje, më dalin germat e kuqe përpara.
Në këtë domethënie, duke kërkuar bekimin, dijetari, Jusuf Kardavi në librin e tij “Pasuria dhe Ekonomia në Islam” duke iu referuar disa ajeteve Kuranore, e shkruan në mënyrë të qartë dhe të pa rezervë, se fondet publike janë të ndaluara për udhëheqësit dhe nëpunësit e shtetit, madje edhe për ata që janë në postet më të ulëta, meqë ata nuk janë më të merituarit për marrjen e mjeteve të tilla. Ashtu, krejt në përputhje me këtë, e bekuar është pasuria hallall për të drejtët(devotshmit), ndërlidh një hadith. Në shtrirje çfarë mund të presësh nga njerëz të shtrembër, hipokrit e shtiracak. Ja çka; tetë miliardë euro borxh, shtojmë dhe 1,2 miliardë euro të tjera për këtë vit. Më pastaj ngrirje-shkrirje çmimesh. Pas kësaj gati se na merr uji. Më tej, në radhë, herë sido, të dalë nga shtegu, si treni i shpërqendruar në filmin Kryqëzimi Kasandra i vitit 1976, që, se di, në cilin drejtim po shkon, pa fajin e tij, dhe përfundon në një urë që shembet. Përveç të tjerave, për më tepër, ekonomi e dobët kronike, relativisht, akoma, me rritje çmimesh, paga mediokre e xhepa trokë. E vërtetë se, nominalisht deri diku pagat janë rritur, mirëpo realisht ato humbin hap me rritjen e vazhdueshme të çmimeve. Edhe atë, rritje sipas modelit minimal të rritjes së pagës, jo atij median. Ndërkaq, inflacioni as numërohet as llogaritet. Situata vazhdon të dehidrojë. Sa për qëndrim, të përmbajtjes, sipas institutit për hulumtime ekonomike dhe politike- finance think, viti 2023 ka qenë viti me rritje ekonomike më të ulët, në histori, me vetëm 1,7 për qind, pas viteve të para të tranzicionit të para 34 viteve. Edhe atë kuartali i katërt i aktivitetit ekonomik, nga të dhënat statistikore ka arritur në vetëm 0,9 për qind rritje. Në këtë ecuri, për të ditur e për të zdritur, funksionimi i ekonomisë është shumë e thjeshtë, ashtu siç trupi i njeriut që atrofon e sëmuret kur nuk merr ushqim e minerale të duhura, ashtu dhe ekonomia sëmuret kur nuk trajtohet ashtu siç duhet. Si pasojë, për këtë, njëherë e mirë, s’duhet lënë e lejuar më, rishpërndarjen e mirëqenies, as edhe krijimin e fateve të njerëzve ta bëjnë individë (përveç se me njohuri as elementare) pa ndjenja të pashoq për (jo)begatinë e njerëzve, në një shoqëri marramendëse, tashmë. Prandaj duhet rivendosje të institucioneve. Duhet cilësi e përgjegjësi, me njerëz të kapaciteteve, jo gënjeshtar e mashtrues të kadaifit partiak, që fare nuk punojnë, nuk dinë, e s’bëjnë hesap se përse gjinden për më shumë se 20 vite në ato vende.
Meqenëse, veç të tjerash edhe (çerek) byreku është bërë luks. Sa për njoftim, vitet e 80-a sllovenët nuk dinin se ç’ është byreku. Më parë pyetnin dhe më pastaj do vendosnin do e hanë ose jo. Sot, dhe ata vrapojnë pas byrekut. Por, për 10 vite, duke ngrënë pak a shumë dhe sufllaqe, si ne, kanë ndërruar shtatë qeveri. Ata, pa u ndalur, pa ngurrim, kërkojnë zgjidhje, nuk rrinë të dëgjojnë apoteozat e pasoshme me fjalë bosh të batërdisura. Qeveria sipas tyre duhet të jetë e diskontinuitetit për të patur zgjidhje e sukses. Edhe pse, ata, kanë qenë, dhe janë trefish, shumëfish, larg përpara nesh, në çdo vështrim. Ne nuk jemi Slloveni, do thoni duke ngrënë me hyxhym nga 18 tullumba pas iftarit. Pa dredha, vërtet nuk jemi. Me të drejtë! Po çka, realisht, jemi ne?! Në fakt çka duam, çka dëshirojmë të jemi. Doni të dini. Për gërshetim të keq rrethanash, për të filluar nga zeroja, për një zhvendosje të zgjidhjes së problemit duhet të jemi. Zgjidhjes si një teleskop që zmadhon katër, pesë herë strukturat. Kjo duhet të jemi. Kështu që, tutje, as Slloveni s’duhet të jemi. -E, çka në fakt, është çerek byreku?! Është skamje, fukarallëk. Është mjerim. Kjo është. (Më pas, hulumtimet ndërkombëtare tregojnë se, më së shumti mërgojnë njerëz që hanë qofte dhe kofsha pule me patate dhe oriz sesa njerëz të çerek byrekut. Për çast mendova se e kanë gabim. Por shpejt ndryshova mendje. Sepse nuk jam rob që kullos delet, e jetoj në shekullin e 14ë. Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur, shkruan dilemën Remarku. Për kë, duhet të rinë? Për kë?! Për një front me propagandë të verbuar, rreshtuar me dezertorë, apo për fanatizëm pushteti qesharak e jonjerëzor). Mbasandaj, sado që të votojnë, në shesh nuk del asgjë.
Për të vijuar, tej, Është një roman, “Mbi Heronjtë dhe Varret”, i shkrimtari argjentinas Ernesto Sabatos. Romani ka një didaktikë me një metaforë sentimentaliteti filozofik dhe satirës sociale, dhe shpesh përshkruhet si një roman tërësor, ku autori trajton pothuajse të gjitha temat që e kanë pushtuar në jetën e tij, duke filluar nga ato politike, historike, morale, ekzistenciale, metafizike, teologjike dhe estetike. Të paktën them se jam i ndershëm, pasi nuk e gënjej veten dh as përpiqem të gënjej të tjerët…jam hetues i së keqes, ashtu shkruan ndërmjet të tjerash, brenda romanit, Sabato. Është dëshmi e vërtetë, e pa sqaruar, që, të gjithë e dinë, se ndodhia (kriza) sociale në të cilën gjendemi nuk është tregim e përrallë fëmijësh, i cili çdoherë fillon, me, na ishte njëherë, të vëllezërve Grim, por, është korrupsion sistematik e politik, në mbështetje, të një njeriu, në një anije të dehur.
Ciceroni shqiptoj, edhe këtë, -të ndershmit reagojnë me vonesë, por megjithatë reagojnë-.
Ditë e natë, gjithçka është thënë e gjithçka thuhet.
Për t’iu afruar fundit të kësaj verige, e për ta shtrënguar fortë, e cila ka për detyrë për të përfaqur të vërtetën, vjen, dhe “Shkretira e Tartarëve”, një roman i shkrimtarit italian, Dino Buzzati, ku përshkruan historinë e një ideali të paarritshëm, të forcave të errëta që drejtojnë jetën, të njeriut si viktimë e kohës dhe vdekjes si çlirimin e tij përfundimtar. Romani është shkruar në një stil onirik, krijuar nga vizione të kthjellëta, nga hije, mistere dhe mite, të cilat janë universale, të përjetshme dhe gjithmonë aktuale. Qartë!
Kurse, pak përpara fundit, për t’ia vënë nyjën verigës, vijon dhe trilogjia, Kumbari, film me regji të Francis Ford Kopolës, nga më të mëdhenjtë realizuar ndonjëherë, bazuar në romanin më të shitur të krimit me të njëjtin titull, të shkrimtarit dhe skenaristit Mario Puzo, me një manifest të paharrueshëm mbi krimin e organizuar e të pamëshirshëm mafioz. Edhe, kjo më se e qartë!
Në mbyllje, pasi kjo verigë përfundon, për të ndjerë, e mbajtur ritmin, e kohës që pritet të vijë, Procesi i Kafkës është vetëm një fragment, por duket një roman i plotë. Alegoria e tij, me gjëra shumë elementare, përshkruan pafuqinë dhe përhumbjen e njeriut. Megjithëse, ai thërret njeriun në përgjegjësi. Tash e tutje ec e depërto, ad interim, me(pa) një gabim teknik…
Deri në verigën e ardhme, do të ishte e tepërt të thuhet diçka tjetër. Agimi po afron, të pi dhe pak ujë. Nijeti, duhet bërë.



