Maqedonia lider në rajon për çmimin e lartë të banesave, Shkupi mbi 2 mijë euro metër katrorin

Çmimet e banesave po thyejnë rekorde. Maqedonia është lider në rajon për sa i përket rritjes së çmimeve për metër katror. Sipas analizës së gazetës bullgare 24 orë, vitin e kaluar çmimet e pasurive të paluajtshme u rritën me 20,6 për qind. Pas nesh është Shqipëria – mbi 17,5%, Bullgaria nën 10, Serbia 6,5, Kroacia 3,5%.
Çmimet në qendër të kryeqytetit, Shkup, aktualisht arrijnë nga 2000 deri në 2500 euro për metër katror. Janë më të lira në periferi, por edhe atje një metër katror kushton mbi 1000 euro. Rritja është e palogjikshme, thonë nga Lidhja e Dhomave të Tregtisë. Nuk pason rritjen e pagave dhe për më tepër interesat e kredive janë në rritje, ndaj janë të interesuar të blejnë vetëm ata që kanë fituar para.
– Gjithmonë më është dukur e palogjikshme dhe sipas të gjitha analizave që kemi bërë, konkludojmë se bëhet fjalë për rritje të menjëhershme, si reagim ndaj goditjeve që kemi pasur në vitet e kaluara. Por në realitet kushtet nuk do të lejojnë një mospërputhje të tillë mes pagave dhe mundësisë për të blerë një apartament. Ndoshta dikush që ka punuar jashtë kthehet dhe ka para për të blerë një apartament, por me këto çmime kjo është e paqëndrueshme për standardet tona, tha Trajan Angelloski, kryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike.
Arsyeja e kësaj rritjeje të çmimeve, sipas analizës së gazetës bullgare, është se që nga viti 2020 jemi në negociata formale për hyrje në Union, pra jemi bërë një vend interesant për investime. Por tek ne nuk ka as të huaj dhe as fuqi blerëse që qytetarët të mund të përballojnë çmime të tilla, thotë Angelloski. Prandaj, ai pret stabilizim në periudhën e ardhshme.
– Ndoshta çmimet do të mbeten të njëjta, por kushtet do të ndryshojnë. Kostot e tjera, puna, materialet, do të fillojnë të rriten dhe ne do të arrijmë një pasojë logjike të tregut të çmimeve. Të shohim se në cilin drejtim do të shkojnë taksat për banesa, si dhe mundësitë për investim në burime tjera, shton Angelloski.
Ndryshe, sipas të dhënave të Bankës Popullore, vitin e kaluar, në tremujorin e parë, çmimi i banesave është rritur për gati 19%, më pas ka vijuar trend në rënie dhe në tremujorin e fundit rritja ka qenë 7%.TvSitel

