Osmani: Kosova shpejt do të ulet në NATO krah miqve e do t’ua kthejë borxhin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorë të akredituar të shteteve aleate kanë bërë homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 25 vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s.
Osmani, beson që shumë shpejt Kosova do të ulet në NATO krah këtyre miqve dhe do t’ua kthejë borxhin duke ndihmuar në vende tjera.

“Faleminderit përjetësisht NATO, Kosova besoj shumë shpejt do të ulet në NATO përkrah miqve të cilët na qëndruar pranë në momentet më të vështira, dhe do ta kthej këtë borxh duke ndihmuar në vende të tjera, siç po ndihmon edhe sot ushtria jonë”, tha Osmani.
Osmani: 24 marsi ishte vërtet ditë e shpresës së madhe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përshkruar 24 marsin e vitit 1999 si ditë të shpresës së madhe për Kosovën, teksa ka rikujtuar nisjen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore e ushtarake në ish-Jugosllavi.

“24 marsi ishte vërtet ditë e shpresës së madhe, sepse për herë të parë, aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocodal i [ish-liderit, Sllobodan] Millosheviqit, dhe së bashku me shumë e shumë shtete të tjera partnere arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë”, tha Osmani.

Ajo i ka bërë këto deklarata pasi ka kryer homazhe te memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, i cili gjendet te Sheshi “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Prezentë kanë qenë edhe ambasadorë të vendeve perëndimore në Kosovë.

“Kjo ditë e shpresës së madhe është shndërruar në një partneritet të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe botës demokratike, aleanca që edhe sot vazhdojnë”, shtoi presidentja.
Osmani: 25 vjet më parë filloi shpëtimi i Kosovës nga shfarosja

Sot përkujtohet një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët, 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.

Në këtë përvjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në “Facebook” ka falendëruar NATO-n.

“25 vjet më parë, filloi shpëtimi i Kosovës nga shfarosja. Aleancat duhet t’i ruajmë po aq sa edhe lirinë! Faleminderit përjetësisht NATO!”, ka shkruar presidentja.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button