Rritet në të paktën 115 numri i të vdekurve nga të shtënat në Moskë

Komiteti Hetues i Rusisë ka njoftuar se numri i të vdekurve nga të shtënat në sallën e koncerteve Crocus City në rajonin e Moskës është rritur në 115 pasi trupa të tjerë u nxorën nga nën rrënojat, transmeton Anadolu.
Sulmuesit hyrën në sallë mbrëmë vonë dhe hapën zjarr duke vrarë të paktën 115 njerëz, duke plagosur më shumë se 145 të tjerë dhe duke i vënë zjarrin vendit të ngjarjes. Pjesë të ndërtesës u shembën, duke komplikuar operacionin e kërkim-shpëtimit.
Organi hetimor tha se sulmi terrorist mori jetën e tre fëmijëve, duke theksuar se shifra e të vdekurve me gjasë do të rritet.
Si shkaqe më të zakonshme të vdekjes, komiteti rus identifikoi plagët me armë zjarri dhe helmimin me produktet e djegies.
Ndërkohë, të dhënat për numrin e të plagosurve kanë qenë të ndryshme. Ministria e Shëndetësisë në rajonin e Moskës publikoi një listë me 147 persona që u pranuan në kujdesin mjekësor pas incidentit, ndërsa ministri rus i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, tha se 115 persona u plagosën, përfshirë fëmijë. Ministria e Emergjencave, nga ana tjetër, publikoi një listë me 99 të plagosur.
Ministri Murashko theksoi se 60 persona ndodhen në gjendje kritike dhe mjekët po luftojnë për jetën e tyre.
“Qindra njerëz erdhën në qendrat mjekësore për të dhuruar gjak për të plagosurit”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, e cila tha se gjaku do të nevojitet në javët e ardhshme për të trajtuar djegiet.



