Blinken: Ofensiva në Rafah do të izolonte më tej Izraelin

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të premten se një ofensivë në qytetin jugor të Gazës, Rafah, paraqet rrezikun për një “izolim të mëtejshëm” të Izraelit dhe do të dëmtonte sigurinë e tij afatgjatë.
Duke folur para se të largohej nga Izraeli, Blinken u tha gazetarëve se kishte zhvilluar “bisedime të hapura”, duke iu referuar takimeve me zyrtarët e vendit, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Një operacion tokësor ushtarak në Rafah “rrezikon të shkaktojë vdekjen e më shumë civilëve. Ai rrezikon të shkaktojë më shumë kaos me ndihmën humanitare. Rrezikon të izolojë më tej Izraelin në botë dhe të rrezikojë sigurinë dhe pozitën e tij afatgjatë,” tha Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i bëri komentet pasi kryeministri Benjamin Netanjahu e bëri të qartë pas takimit me kryediplomatin amerikan se Izraeli do ta ndërmerrte operacionin kundër Hamasit në Rafah, qytetin më jugor në Gazë, edhe pa mbështetjen amerikane.
Tendosja në lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit është bërë gjithnjë e më publike. Presidenti Joe Biden e ka quajtur operacionin ushtarak të Izraelit në Gazë “të tepruar” duke përmendur pasojat e mëdha në jetët e civilëve.



