Caktohet data për ekstradimin e Ljupço Palevskit nga Turqia!

Është caktuar afati i fundit për ekstradimin e Ljupço Palevskit nga Turqia, i cili dyshohet për rrëmbimin dhe vrasjen e dyfishtë, të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Palevski u arrestua në qytetin turk Belikesir, ku ndodhet edhe në paraburgim ndërsa kërkesa për ekstradim është bërë që nga dhjetori 2023, pas urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar. Mirëpo, ministri i Drejtësisë Krenar Loga nuk ka bërë të ditur një datë të caktuar se kur do të dorëzohet në vend.

“Na dhanë një afat. Gjithsesi, nuk dua të them detaje të tilla, sepse kjo çështje varet nga ata dhe jo nga ne”, tha Loga.

Loga ka përsëritur edhe një herë se gjatë vizitës së tij të fundit në Turqi është njoftuar se procedura në gjykata ka përfunduar, pas së cilës fillimisht duhet të nënshkruajë ministri i Jashtëm, e më pas ai i Drejtësisë. Ai pret që ekstradimi të kryhet shpejt.

“Pra nuk ka asnjë komunikim tjetër zyrtar, përveç se të gjitha gjërat tashmë janë mbyllur dhe të gjitha procedurat janë në kohë. Kemi komunikuar jozyrtarisht dhe sot nga këtu kemi kërkuar informata shtesë për dorëzimin e Palevskit”, ka shtuar Loga.

Gjykata e Lartë rrëzoi të mërkurën ankesën e babait të Vanjës, Aleksandar Gjorçevskit për ndalimin e tij. Gjorçevski dyshohet se ka ndihmuar në rrëmbimin e vajzës së tij. Palevski, sipas deklaratave të të dyshuarve tjerë në këtë rast, u tha se informacionin se kur Vanja do të largohet nga shtëpia dhe se do të jetë vetëm ia ka dhënë Gjorçevski. Mbrojtja dhe vetë Gjorçevski pretendojnë se nuk njeh asnjë nga të dyshuarit dhe se prokuroria nuk ka prova për krimin për të cilin akuzohet.

Para disa ditësh është liruar nga paraburgimi edhe Stefan Dimkovski, i cili dyshohet se ka ndihmuar Palevskin në arratisjen nga vendi. Prokuroria njoftoi se duke marrë parasysh veprën për të cilën dyshohet Dimkovski dhe dënimin me kusht, ai mund të jetë në paraburgim deri në tre muaj. Ndalimi i tij është zëvendësuar me masa paraprake.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button