Malajzia sulmon Izraelin për vrasjen masive të palestinezëve që kërkonin ndihmë në Gaza

Të shtënat nga trupat izraelite ndaj “palestinezëve të pambrojtur” teksa ata kërkonin ndihmë ushqimore në Gaza ishte një akt “frikacak”, të cilin qeveria malajziane e ka dënuar.
Në një deklaratë të shtunën, Ministria e Punëve të Jashtme e Malajzisë tha se komuniteti ndërkombëtar duhet “t’i kërkojë Izraelit të ndalojë mizoritë dhe t’u përmbahet detyrimeve të tij sipas ligjit ndërkombëtar”.
“Veprimi frikacak i Izraelit që synon palestinezët, duke përfshirë gra dhe fëmijë, është jo vetëm i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar, por edhe një shkelje e hapur e masave të përkohshme të dhëna nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 26 janar 2024 dhe Konventës së Gjenocidit të vitit 1948”, tha MPJ malajziane.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se 115 palestinezë u vranë dhe më shumë se 700 u plagosën kur trupat dhe tanket izraelite hapën zjarr ndaj një turme prej mijëra njerëzish që ishin mbledhur pranë qytetit të Gazës të enjten mbrëma për të marrë furnizime ushqimore humanitare.



