Borell: Hetim ndërkombëtar për Navalnin dhe lirim të burgosurve politik në Rusi

Bashkimi Europian është i indinjuar nga vdekja e politikanit opozitar rus Alexei Navalny, për çka përgjegjësi përfundimtare mban Presidenti Putin dhe autoritetet ruse, ka thënë sot në Këshillin e Punëve të Jashtme përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian Josep Borell, raporton Alfax. Në emër të Bashkimit Evropian, Borell ka kërkuar hetim ndërkombëtar për rrethanat e vdekjes së tij.
“BE-ja nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të kërkuar përgjegjësi nga udhëheqja politike dhe nga autoritetet ruse, në koordinim të ngushtë me partnerët tanë; dhe do të vendosë kosto të mëtejshme për veprimet e tyre, duke përfshirë edhe sanksionet”, ka deklaruar Borell.
Borell në emër të BE-së ka lartësuar figurën e Navalnit duke kujtuar se misioni i tij ishte për demokratizim të Rusisë dhe për këtë nuk duhej të vuante.
“Gjatë gjithë jetës së tij, Navalny tregoi guxim të jashtëzakonshëm, përkushtim ndaj vendit dhe bashkëqytetarëve të tij dhe vendosmëri, me punën e tij kundër korrupsionit në të gjithë Rusinë, një mesazh që tërhoqi shumë njerëz në të gjithë vendin. Kjo është arsyeja pse Putini dhe regjimi i tij kishin frikë prej tij, gjithashtu në kontekstin e luftës së vazhdueshme të paligjshme të agresionit Rus kundër Ukrainës dhe zgjedhjeve presidenciale ruse në mars. Vdekja e papritur dhe tronditëse e zotit Navalny është një tjetër shenjë e represionit të përshpejtuar dhe sistematik në Rusi. Bashkimi Europian përsërit thirrjen ndaj Rusisë që të lirojë menjëherë dhe pa kushte të gjithë të burgosurit e tjerë politikë, përfshirë Yuri Dmitriev, Vladimir Kara-Murza, Ilya Yashin, Alexei Gorinov, Lilia Chanysheva, Ksenia Fadeeva, Alexandra Skochilenko dhe Ivan Safronov”, ka thënë Borell.



