100.000 shtetas të RMV në Gjermani preken nga masa për pajisje me pasaportë të re

Problemi me marrjen e pasaportave të reja të Maqedonisë së Veriut, shkon përtej kufijve të vendit. Qytetarët e Maqedonisë që që jetojnë dhe punojnë në Gjermani përballen me pamundësi për të marrë me kohë pasaportën e re në përfaqësitë diplomatike. Kryetari i këshillit qendror të maqedonasve në Gjermani, Robert Klenkoski, thotë për Zërin e Amerikës se pritja për pasaportë të re shkon më shumë se 9 muaj.
“Këto janë 9 muaj burg dhe humbje pune. 45.000 maqedonas kanë caktuar termine për pasaporta të reja në ambasada dhe konsullata deri në javën e kaluar, por vlerësimi ynë është se janë gjithsej 100.000 që duhet të ndryshojnë pasaportat. Për të mos folur për lirinë për të shkuar me pushime nga Gjermania në një shtet tjetër përveç Maqedonisë, kjo aktualisht është e pamundur”, tha Robert Klenkoski, kryetar i këshillit qendror të maqedonasve në Gjermani.
Por ka edhe një problem tjetër, thotë Klenkoski.
“Ata ofrojnë dokumente udhëtimi që janë në një drejtim dhe janë të vlefshme për udhëtim në Maqedoni, por një person që ka punë, p.sh. nga Gjermania në Angli, praktikisht nuk mund ta bëjë punën e tij sepse as në Maqedoni nuk ka pasaporta të reja. Banorëve në Gjermani nga sot për nesër u është hequr liria, nuk kanë kapacitet dhe pasaporta të reja”, shton Klenkoski.
Këshilli Qendror i Maqedonasve në Gjermani thotë se më shumë se 100.000 qytetarë janë të prekur nga kjo masë, madje disa kanë marrë data për rinovimin e pasaportës deri në tetor 2024. Ata i dërguan një letër javën e kaluar presidentes së KE-së Von der Leyen, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrit Talat Xhaferi. Ata bëjnë thirrje për masa të menjëhershme për t’i dhënë fund këtyre shkeljeve të të drejtave të njeriut. Ata u dhanë afat autoriteteve të vendit deri më 23 shkurt 2024 për të tërhequr vendimin e tyre për anulimin e pasaportave të vlefshme dhe për të siguruar lëshimin e shpejtë dhe efikas të pasaportave të vlefshme.
“Nëse ky afat kalon i pashfrytëzuar, Këshilli Qendror i Maqedonasve në Gjermani rezervon të drejtën që të ndërmarrë veprime ligjore për të zbatuar të drejtat e qytetarëve të prekur në gjykatë”, thuhet në njoftimin e Këshillit Qendror të Maqedonasve në Gjermani.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, së mka vizituar disa nga përfaqësitë diplomatike-konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim të inspektimit të situatës në terren dhe gjetjes së zgjidhjeve për rritjen e efikasitetit në ofrimin e shërbimeve konsullore.
Osmani ka deklaruarse në shumicën e përfaqësive çdo ditë ju dilet në ndihmë rreth 300 qytetarëve të Maqedonisë.
Zgjidhja e problemit me pasaportat, sipas ministrit teknik të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, është në duart e deputetëve . Ai thotë se ata duhet të miratojnë ndryshime në Ligjin për dokumentet e udhëtimit dhe në këtë mënyrë t’i jepet fund gjendjes aktuale.



