Largime të tjera nga BDI: Bashkëpunëtorët e Blerim Bexhetit kalojnë te Izet Mexhiti

Vazhdojnë largimet nga BDI-ja. Kryetari i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti publikoi fotografi me njerëz shumë të afërt të Blerim Bexhetit nga Saraji, të cilët tashmë i janë bashkëngjitur opozitës.
Lëvizja Demokratike ka caktuar për koordinator në degën e Sarajit Muhamed Elmazin, këshilltar në Qytetin e Shkupit, ndërsa për zëvendës koordinator Muhamed Ramën, kryetar i Këshillit të Komunës Saraj.
“Sonte për koordinator të Lëvizjes Demokratike për Degën Saraj caktuam Muhamed Elmazin, këshilltar në Qytetin e Shkupit, ekonomist dhe aktivist i dëshmuar politik. Për zëvendës koordinator caktuam Muhamed Ramën, kryetar i Këshillit të Komunës Saraj, magjistër i shkencave politike dhe aktivist i dalluar politik. Drejt fitoreve të reja! “, publikoi Mexhiti në Facebook.
Në fotografinë e publikuar në rrjetet sociale, në krah të Mexhitit shihen edhe shumë persona të tjerë që deri para pak kohës ishin bashkëpunëtorë të afërt të kryetarit të Sarajit Blerim Bexhetit.



