Kabineti i Pendarovskit: Reagimi i BE-së për Ligjin për lojërat e fatit ishte si asnjëherë më parë

Ndryshimet në Kodin Penal janë në përputhje me Direktivën Evropiane për ngrirjen dhe konfiskimin e sendeve dhe përfitimeve pasurore, e cila përveç dënimit me burg, fokusohet në konfiskimin e përfitimeve pasurore nga autorët e këtyre krimeve, thonë nga Kabineti i presidentit Stevo Pendarovski pas reagimit të BDI-së për mos nënshkrimin e Ligjit për lojërat e fatit.
Kabineti i Presidentit thotë se për dallim, Bashkimi Evropian ka reaguar me shkrim që të mos keqpërdoret flamuri evropian para se të miratohet Ligji për lojërat e fatit, reagim si asnjëherë më parë.
“Letra në të cilën thuhet qartë se nuk është ndjekur procedura, pra letra e Bashkimit Evropian para se t’i dërgohet Presidentit, i është dërguar edhe Qeverisë dhe Kuvendit. Me këtë letër duhet të jenë të njohur edhe zëvendëskryeministri Artan Grubi, por edhe të gjithë anëtarët e Qeverisë”, thuhet në njoftimin e presidencës, përcjell Alfax.
Përplasja publike mes presidentit Pendarovski dhe BDI-së vjen pasi presidenti refuzoi ta dekretojë Ligjin për lojërat e fatit, duke akuzuar se u keqpërdor flamuri evropian. /Alfax/



