BE paralajmëron “katastrofë humanitare” në Rafah

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka paralajmëruar me ngulm nga një ofensivë izraelite në Rafah, në jug të Rripit të Gazës duke sjellë në mendje vuajtjen e civilëve.
Baerbock ka bërë të ditur edhe një udhëtim të ri në Izrael javën e ardhshme. “Një ofensivë e ushtrisë izraelite në Rafah do të ishte një katastrofë humanitare me shpallje”, ka shkruar politikanja e Gjelbër në shërbimin e mesazheve, X.
“Njerëzit në Gaza nuk mund të shkrihen në ajër.” Ministrja e Jashtme gjermane kujtoi, se që tani vuajtja në Rafah është e papërfytyrueshme dhe aty 1,3 milionë vetë kërkojnë mbrojtje nga luftimet në Rripin e Gazës. Baerbock theksoi, se Izraeli duhet të mbrohet ndaj terrorit të Hamasit, por duhet të zbusë në masën më të madhe të mundshme vuajtjen e popullsisë. Baerbock ka theksuar edhe njëherë ndalimin e luftimeve që të lirohen pengje të tjerë. “Këtë do ta diskutoj në Izrael javën e ardhshme”, ka thënë Baerbock.
Edhe i ngarkuari i BE për politikën e Jashtme, Josep Borrell ka paralajmëruar nga një “katastrofë humanitare”. “I bashkohem paralajmërimeve të disa vendeve anëtare”, deklaroi Borrell në shërbimin X. “Një ofensivë izraelite në Rafah do të sillte një katastrofë të papërshkrueshme humanitare.” Borrell paralajmëroi, se kjo do të shkaktonte “tensione të forta me Egjiptin”. Borrell ka shtuar më tej se “rifillimi i bisedimeve për lirimin e pengjeve dhe një ndalim i armiqësive janë mjeti i vetëm për të penguar masakrën.”
Edhe Arabia Saudite ka paralajmëruar nga një ofensivë ushtarake në jugun e Rripit të Gazës. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme në Riad theksohet, se refuzohet kategorikisht zhvendosja e detyruar e qindra mijëra civilëve. Riadi ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit “për të penguar Izraelin të shkaktojë një katastrofë kërcënuese humanitare”.



