Kanë kaluar dy vjet nga nisja e operacionit që çoi në revolucionin në Siri

Kanë kaluar dy vjet nga operacioni që opozita siriane nisi më 27 nëntor 2024 nga Idlibi, me synimin për të rrëzuar regjimin e Bashar al-Asadit, raporton Anadolu.
Lëvizjet popullore që nisën në Siri në vitin 2011, gjatë procesit të “Pranverës Arabe”, u shndërruan në luftë civile që destabilizoi rajonin për 13 vjet, pasi Bashar al-Asadi shtypi me dhunë demonstratat masive. Operacioni i nisur nga opozita më 27 nëntor 2024 përfundoi më 8 dhjetor 2024 me marrjen nën kontroll të kryeqytetit Damask, rrëzimin e regjimit të Asadit dhe ndryshimin e fatit të vendit.
Opozitarët që u nisën nga Idlibi fillimisht u përleshën me forcat e regjimit në zonat rurale në perëndim të Halepit. Pasi morën nën kontroll vendbanimet përreth Halepit, opozitarët hynë në qendër të qytetit më 29 nëntor. Gjatë katër ditëve të para të operacionit, opozitarët morën nën kontroll një territor prej të paktën 1.000 kilometrash katrorë përreth Halepit dhe Idlibit, duke i shkaktuar goditje të rëndë regjimit.
Opozitarët morën gjithashtu nën kontroll qytetin strategjik Serakib, në juglindje të Idlibit, ku kryqëzohen autostradat “M4” dhe “M5”, të cilat përbëjnë arteriet kryesore të transportit në vend dhe nisën përparimin drejt Hamas dhe Homsit.
Ushtria Kombëtare Siriane nisi operacionin “Agimi i Lirisë”
Në operacionet kundër regjimit të Asadit u përfshi edhe Ushtria Kombëtare Siriane (SMO).
Duke u nisur nga zonat e çliruara nga terrorizmi përmes operacioneve “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”, SMO-ja, në kuadër të operacionit të quajtur “Agimi i Lirisë”, fillimisht ndërpreu rrugën Halep-Raka, e cila shërbente si linjë furnizimi për organizatën terroriste PKK/YPG.
Qytetet Tel Rifaat dhe Munbixh u çliruan nga pushtimi i organizatës terroriste, i cili vazhdonte që nga viti 2016. Ndërkohë, grupet e tjera opozitare morën nën kontroll qytetin strategjik Murek dhe malin Zeynel Abidin në autostradën “M5” në Hama, duke iu afruar më 30 nëntor rreth tetë kilometra qendrës së qytetit.
Sulmet ajrore të Rusisë dhe regjimit të Asadit nuk arritën ta ndalnin përparimin
Regjimi i Asadit dhe Rusia ndërmorën sulme të shumta ajrore në disa zona, veçanërisht në Halep dhe Idlib, me qëllim ndalimin e përparimit të opozitarëve. Gjatë periudhës 27 nëntor – 2 dhjetor 2024, në sulmet ajrore të kryera nga regjimi i Bashar al-Asadit dhe Rusia humbën jetën të paktën 81 civilë ndërsa 300 të tjerë u plagosën.
Pavarësisht sulmeve ajrore, opozitarët vazhduan përparimin dhe më 5 dhjetor hynë në qendër të qytetit Hama. Pasi morën nën kontroll Haman, grupet u drejtuan drejt provincës strategjike të Homsit, e cila hap rrugën për në kryeqytetin Damask.
Opozitarët mbërritën në qendër të Homsit më 6 dhjetor. Në jug të vendit, grupet lokale opozitare në Suvejda morën nën kontroll të gjithë provincën më 7 dhjetor.
Edhe në Dera, vendin ku nisën lëvizjet popullore në Siri, forcat e regjimit u tërhoqën ndërsa opozitarët morën nën kontroll qendrën e qytetit. Grupet lokale në Kuneitra morën kontrollin e qendrës së provincës po atë ditë. Kështu, operacioni i nisur nga opozitarët u shtri edhe në zonat që për vite me radhë kishin qenë nën shtypjen e regjimit të Asadit.
Opozitarët hynë në kryeqytetin Damask, regjimi i Asadit u rrëzua
Më 8 dhjetor 2024, me hyrjen e forcave opozitare në Damask, regjimi i Asadit humbi kontrollin mbi kryeqytetin. Një nga veprimet e para të opozitarëve ishte hyrja në burgun Sednaya, i njohur për torturat dhe lirimi i të burgosurve.
Kështu mori fund sundimi 61-vjeçar i Partisë Baath, e cila kishte ardhur në pushtet në vitin 1963. Pas luftës që shkaktoi vdekjen e qindra mijëra sirianëve dhe zhvendosjen e miliona të tjerëve, Bashar al-Asadi u largua nga vendi dhe iku në Rusi.
Pamjet e sirianëve që festonin revolucionin mes lotësh në sheshet e vendit dhe në kryeqytetet e botës u shënuan në histori.
Pas revolucionit nisi një proces i ri për bashkimin e vendit
Pas rrëzimit të regjimit të Asadit, administrata e re në Siri ndërmori hapa për të garantuar integritetin territorial të vendit dhe për të rivendosur autoritetin qendror. Me mbështetjen e vendeve të rajonit, nën udhëheqjen e Turqisë, administrata e re siriane nisi të rivendoste marrëdhëniet e saj në arenën ndërkombëtare.
Kongresi amerikan vendosi të shfuqizojë në mënyrë të përhershme sanksionet e Ligjit Cezar ndaj Sirisë, të cilat ishin në fuqi që nga viti 2019. Ky vendim u përfshi në ligjin për buxhetin e mbrojtjes së SHBA-së për vitin fiskal 2026.
Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit e largoi Sirinë nga lista e “vendeve që mbështesin terrorizmin”, duke filluar nga 24 gushti 2026. Ky vendim i hapi Sirisë rrugën për t’u rikthyer në tregtinë dhe investimet ndërkombëtare.
Presidenti i Sirisë, Ahmed Shara, e cilësoi vendimin si “një moment historik” dhe “një fillim të ri”, duke falënderuar presidentin amerikan Donald Trump dhe Kongresin. Ai theksoi mbështetjen diplomatike të Turqisë, Arabisë Saudite dhe Katarit.
Në shumë misione diplomatike siriane në kryeqytete të ndryshme të botës nisi të valëvitej flamuri i ri i Sirisë me tre yje. Shtete nga e gjithë bota rihapën përfaqësitë e tyre diplomatike në Damask.
Operacionet kundër organizatës terroriste SDG/YPG
Procesi kundër organizatës terroriste SDG/YPG, e cila kontrollonte rreth një të tretën e territorit të vendit, hyri në një fazë të re me operacionet e nisura në janar 2026 në lagjet Sheikh Maksud dhe Ashrafieh të Halepit.
Ushtria siriane u drejtua drejt lindjes së lumit Eufrat dhe çliroi provincat Raka dhe Deir ez-Zor nga organizata terroriste.
Administrata e Damaskut dhe YPG-ja arritën në janar 2026 marrëveshje të re që parashikonte armëpushim dhe integrim gradual. SDG/YPG-ja, e cila pësoi goditje të rënda gjatë operacioneve, njoftoi se po shpërbënte veten dhe u detyrua të pranonte integrimin në institucionet shtetërore siriane.
Situata në Suvejda dhe pushtimi izraelit në Siri mbeten ndër sfidat e administratës së re
Pas operacioneve kundër SDG/YPG-së në Siri, një nga problemet e rëndësishme me të cilat u përball administrata qendrore u shfaq në Suvejda, në jug të vendit. Në Suvejda, ku popullsia druze është e përqendruar, herë pas here kanë shpërthyer përleshje mes grupeve të armatosura të lidhura me Hikmet al-Hejr-in, i cili mbështetet nga Izraeli, dhe forcave qeveritare siriane.
Garda Kombëtare, e lidhur me Al-Hejr-in, vazhdon të ketë ndikim në qendrën e qytetit të Suvejdës dhe në zonat e brendshme me popullsi të përqendruar druze ndërsa disa zona në pjesët perëndimore dhe veriore rurale të qytetit ndodhen nën kontrollin e forcave qeveritare.
Ndërkohë, Izraeli vazhdon sulmet ndaj Sirisë me arsyetimin e “mbrojtjes së druzëve”, ndërsa ka ndërmarrë edhe sulme tokësore në jug të vendit. Pas rrëzimit të regjimit të Asadit, ushtria izraelite e zgjeroi praninë e saj ushtarake në provincën Kunetra, ku ndërtoi nëntë baza ushtarake dhe pushtoi të paktën 12 mijë dynymë tokë.
Në dy vitet pas revolucionit në Siri, kontrolli i administratës qendrore është rivendosur në pjesën më të madhe të vendit ndërsa problemet e sigurisë në jug dhe pushtimi izraelit vazhdojnë të mbeten ndër çështjet kryesore me të cilat përballet administrata e re.



