Defekti në gjeneratorin e energjisë ndërpret shërbimet mjekësore në spitalin e fëmijëve në Gaza

Gjeneratori kryesor i energjisë në Spitalin e Fëmijëve Al-Rantisi në Rripin e Gazës ndaloi sot së punuari papritur, duke ndërprerë shërbimet jetike mjekësore, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, ministria tha se defekti ka pezulluar disa shërbime thelbësore mjekësore në spital. Ajo nuk specifikoi shkakun e avarisë apo se cilat shërbime mjekësore janë prekur. Ekipet inxhinierike po punojnë për të rindezur gjeneratorin në kushte “jashtëzakonisht të vështira” dhe me burime shumë të kufizuara, tha ministria.
Ministria tha se mungesa e naftës dhe pjesëve rezervë të nevojshme për riparimin dhe rindezjen e gjeneratorit po e vështirëson punën. Ajo nuk dha afat kohor të vlerësuar për rivendosjen e gjeneratorit ose shërbimeve mjekësore të pezulluara.
Institucionet lokale dhe të OKB-së kanë paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet që vijnë nga mungesa e karburantit, lubrifikantëve të gjeneratorëve, pjesëve rezervë dhe furnizimeve të mirëmbajtjes për shkak të kufizimeve izraelite për hyrjen e tyre në Gaza.
Kufizimet kanë bërë që disa gjeneratorë, një burim kryesor i energjisë elektrike në enklavë, të mos funksionojnë ose të mbyllen. Termocentrali i vetëm i Gazës ka mbetur jashtë funksionit që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në territor në tetor 2023.
Sektori i shëndetësisë po përballet me mungesa të rënda të barnave dhe furnizimeve mjekësore në mes të bllokadës së vazhdueshme të Izraelit dhe kufizimeve në dërgimin e ndihmave, pavarësisht nga një marrëveshje armëpushimi që hyri në fuqi më 10 tetor 2025.
Që nga 8 tetori 2023, lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza ka vrarë mbi 74 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 176 mijë të tjerë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë ndërsa ka shkatërruar rreth 90 për qind të infrastrukturës së enklavës.



