Sulejmani takon drejtoreshën e ETF-së në Torino: Arsimi duhet t’u përgjigjet nevojave të tregut të punës

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, është takuar në Torino të Italisë me drejtoreshën e Fondacionit Evropian për Trajnime (ETF), Pilvi Torsti. Takimi u zhvillua në kuadër të Samitit Global të Aftësive 2026 (Torino Global Skills Summit).

“Gjatë takimit diskutuam për temat kryesore të samitit, sfidat globale në zhvillimin e aftësive, si dhe përpjekjet dhe reformat që Maqedonia e Veriut po ndërmerr për ndërtimin e një sistemi arsimor që u përgjigjet nevojave të tregut të punës, zhvillimit teknologjik, ndryshimeve demografike dhe tranzicionit të gjelbër”, ka shkruar Sulejmani.

Sulejmani, i cili në samit mori pjesë edhe si panelist, ka theksuar rëndësinë e forcimit të arsimit dhe aftësimit profesional dhe të zgjerimit të arsimit dual, ku sipas tij sot janë të përfshira mbi 1.000 kompani. Ai foli gjithashtu për avancimin e Qendrave Rajonale për Arsim dhe Aftësim Profesional, për orientimin në karrierë dhe për promovimin e të nxënit gjatë gjithë jetës.

Vëmendje të veçantë në takim iu kushtua bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit të biznesit, me qëllim ngushtimin e hendekut ndërmjet aftësive që fitojnë të rinjtë dhe nevojave reale të ekonomisë.

Sipas Sulejmanit, bashkëpunimi me Fondacionin Evropian për Trajnime dhe partnerët ndërkombëtarë mbetet i një rëndësie të veçantë për avancimin e reformave arsimore dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Synimi ynë është të ndërtojmë një sistem arsimor që jo vetëm u përgjigjet sfidave të së tashmes, por edhe i përgatit brezat e rinj për mundësitë dhe profesionet e së ardhmes”, ka theksuar ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button