Komisionerja evropiane: BE duhet të flasë me një zë për t’i bërë presion Izraelit që të lejojë qasjen humanitare në Gaza

Komisionerja evropiane për Barazinë dhe Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) duhet të flasë me një zë për t’i bërë presion Izraelit që të heq kufizimet ndaj dërgesave të ndihmave humanitare në Gaza, pasi pa ndryshimin e politikës së qeverisë izraelite nuk mund të ketë një reagim humanitar kuptimplotë, transmeton Anadolu.
Duke iu drejtuar seancës plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës, Lahbib tha se ndihmat dhe burimet humanitare janë në dispozicion, por qasja në territorin palestinez të rrethuar mbetet shumë e kufizuar.
“Botës nuk i mungojnë fondet apo furnizimet humanitare. Ajo që i mungon Gazës është qasja në to”, tha Lahbib, duke theksuar se organizatat humanitare janë të gatshme të ofrojnë ndihmë, por nuk mund të arrijnë te personat në nevojë.
“Kjo nuk është çështje e kapaciteteve humanitare, por qartësisht një zgjedhje politike. Nuk mund të ketë rritje kuptimplote të ndihmës humanitare pa ndryshimin e politikës së qeverisë izraelite”, theksoi ajo.
Ajo tha se situata humanitare në Gaza mbetet shkatërruese, pavarësisht armëpushimit të tetorit të vitit 2025, për shkak të vazhdimit të sulmeve ajrore izraelite, zhvendosjes masive të popullsisë dhe mungesës së madhe të furnizimeve thelbësore.
Ajo tha se më shumë se 1.600 persona janë vrarë në Gaza që nga shpallja e armëpushimit, duke shtuar se përshkrimi i situatës si një proces rimëkëmbjeje do të krijonte përshtypjen e gabuar se kriza ka përfunduar.
“Gaza nuk po rimëkëmbet. Gaza po mbijeton”, tha ajo.
Lahbib u bëri thirrje autoriteteve izraelite të mbrojnë civilët, të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të zbatojnë armëpushimin.
Ajo paralajmëroi gjithashtu për pasojat gjithnjë e më të rënda të kushteve dimërore për palestinezët e zhvendosur, duke u shprehur se stuhia e parë ka përmbytur më shumë se 70.000 tenda dhe ka dëmtuar strehimoret, duke prekur mbi 220.000 persona.
Shumë familje, theksoi ajo, vazhdojnë të mbeten pa mbrojtje të përshtatshme nga të ftohtit, ndërsa më shumë se 150.000 tenda të siguruara nga partnerët humanitarë dhe shtetet anëtare të BE-së ende presin jashtë Gazës.
Lahbib i bëri thirrje Izraelit të hapë të gjitha pikat kufitare, të heq kufizimet ndaj furnizimeve thelbësore humanitare, përfshirë artikujt e klasifikuar si me përdorim të dyfishtë, si dhe të lejojë agjencitë e OKB-së, organizatat joqeveritare dhe organizatat e tjera humanitare të veprojnë në mënyrë të sigurt dhe efektive.
“Evropa duhet të flasë me një zë dhe mesazhi ynë për autoritetet izraelite duhet të jetë i qartë dhe i njëtrajtshëm, të lejojnë qasjen humanitare, të mbrojnë civilët dhe të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare”, u tha ajo eurodeputetëve.
Duke folur në emër të Këshillit Evropian, ministri irlandez i Shtetit, Charlie McConalogue, bëri gjithashtu thirrje për qasje të menjëhershme dhe të papenguar të ndihmave humanitare në Gaza, rihapjen e të gjitha pikave kufitare dhe dërgimin e vazhdueshëm të ndihmave në shkallë të gjerë.
Ai rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e BE-së për zgjidhjen me dy shtete, sipas së cilës Izraeli dhe Palestina do të bashkëjetonin në paqe, brenda kufijve të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht.



