Putin: Përgjigjja e Rusisë ndaj sulmeve ukrainase mbi rafineritë e naftës është e pashmangshme

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se përgjigjja e Moskës ndaj sulmeve ukrainase mbi rafineritë ruse të naftës ishte e pashmangshme, transmeton Anadolu.

Duke folur në një takim për zhvillimin e sektorit të karburanteve dhe energjisë në Rusi, të mbajtur në Moskë, Putin tha se Kievi po vazhdon sulmet, pavarësisht kërkesës së presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i ndalur ato.

“Regjimi i Kievit nuk i ndal sulmet ndaj objekteve tona të përpunimit të naftës, pavarësisht thirrjes dhe kërkesës së drejtpërdrejtë të presidentit amerikan që të përmbahet nga këto sulme”, tha Putin.

“Prandaj, dua të theksoj se veprimet hakmarrëse nga ana jonë janë të pashmangshme. Të gjithë duhet ta dinë këtë”, shtoi ai.

Presidenti rus tha se përshkallëzimi i nisur nga Ukraina në fillim të qershorit ishte parashikuar të zgjaste 40 ditë dhe se nuk do t’i shkaktonte dëme kritike Rusisë.

Ai bëri thirrje për marrjen e masave shtesë për forcimin e sigurisë së rafinerive të naftës dhe mbrojtjen e punonjësve të tyre.

Duke folur për tregun e brendshëm të karburanteve, Putin tha se Rusia ka ruajtur furnizimin e qëndrueshëm me karburante për konsumatorët dhe bizneset, pavarësisht vështirësive, përfshirë kërkesën sezonale nga prodhuesit bujqësorë.

Ai tha se qeveria kishte rritur prodhimin e karburanteve, kishte shtuar rezervat dhe kishte përshtatur zinxhirët logjistik, ndërsa kishte kufizuar eksportet e benzinës, karburantit për avionë dhe naftës dizel.

Sipas tij, pas kulmit të çmimeve në fillim të tetorit, çmimet e benzinës përgjithësisht janë stabilizuar në shumicën e rajoneve ruse, megjithëse tregu i brendshëm i produkteve të naftës mbetet sfidues.

Duke iu referuar tregjeve ndërkombëtare të energjisë, ai kritikoi përpjekjet evropiane për të kufizuar importet e burimeve energjetike ruse, duke theksuar se masa të tilla do t’u shkaktonin më shumë probleme vendeve evropiane.

“Më pak naftë dhe gaz nga ne do të mbërrijë tek ata, ndërsa ata do të kenë më shumë probleme”, tha ai, duke shtuar se Rusia nuk i kishte kufizuar asnjëherë furnizimet me energji për askënd dhe se udhëheqësit evropianë i kishin marrë vetë këto vendime.

Putin tha se Moska do të synojë të zgjerojë tregjet e saj të eksportit dhe të thellojë bashkëpunimin me “partnerë të parashikueshëm dhe të përgjegjshëm”.

Ai gjithashtu bëri thirrje për zhvillimin e rrugëve të reja të furnizimit me energji, përfshirë Korridorin e Transportit Transarktik, veçanërisht Rrugën Detare Veriore. Sipas tij, kjo rrugë mund të shkurtojë kohën e transportit të mallrave drejt partnerëve me 1,5 deri në dy herë dhe të ulë ndjeshëm kostot logjistike.

Putin tha se Rusia duhet të zgjerojë kapacitetet e ndërtimit të anijeve në vend, përfshirë prodhimin e anijeve transportuese të klasit të akullit dhe akullthyeseve, në mënyrë që të shfrytëzojë plotësisht potencialin e kësaj rruge.

Ai gjithashtu kërkoi zgjerimin e infrastrukturës së transportit në Siberi dhe në Lindjen e Largët për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje nga partnerët aziatikë, si dhe zhvillimin e industrisë së përpunimit të naftës dhe asaj petrokimike në pjesën lindore të Rusisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button