Subvencioni për shujtën studentore mbetet 140 denarë, pritet modeli i ri

Subvencioni për ushqimin e studentëve, për momentin, mbetet 140 denarë në ditë, ndonëse përllogaritjet tregojnë se, nëse do të përshtatej me inflacionin, shuma do të duhej të ishte rreth 156 denarë. Ndërkohë, po përgatitet një model i ri që parashikon 20 për qind zbritje përmes një aplikacioni mobil, por vendimin përfundimtar do ta marrin studentët.
Ndërsa çmimet vazhdojnë të rriten, çështja e përshtatjes së subvencionit me inflacionin ende nuk ka marrë zgjidhje. Përllogaritjet e Ministrisë së Arsimit tregojnë se shuma do të ishte rreth 156 denarë, por për shkak të interpretimeve të ndryshme të ligjit dhe padive të ngritura, do të pritet vendimi i Gjykatës Administrative.
Ndërkohë, po përgatitet modeli i ri për ushqimin e studentëve, por vendimi përfundimtar u takon vetë studentëve. Pas takimit me përfaqësuesin e tyre, ministrja Janevska është në pritje që studentët të konsultohen mes vete dhe të paraqesin një qëndrim konkret. Deri atëherë, ata do të vazhdojnë të marrin shumën aktuale prej 140 denarësh në ditë.
“Studentët do të pajisen me një aplikacion mobil, përmes të cilit do të përfitojnë 20 për qind zbritje gjatë blerjes së ushqimit te operatorët ekonomikë të regjistruar. Kjo nuk do të vlejë vetëm për ushqimin e subvencionuar, por edhe për produktet shtesë që do të blejnë me mjetet e tyre”, bëjnë të ditur nga Ministria e Arsimit.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, njoftoi se takimet me studentët do të vazhdojnë derisa ata të jenë të kënaqur me zgjidhjen për ushqimin e studentëve. /MTV/



