Biden gabon përsëri, i referohet Sisit të Egjiptit si “president i Meksikës”

Presidenti i SHBA Joe Biden i’a huqi sërish. Kësaj radhe iu referua presidentit të Egjiptit Abdel Fattah El-Sisi si “presidenti i Meksikës”.
Biden po fliste me gazetarët pasi prokurori special amerikan, Robert Hur, ka publikuar një raport prej 345 faqesh që trajton fshehjen e dokumenteve sekrete nga presidenti amerikan, Joe Biden që nga viti 2017.
Gjatë konferencës, udhëheqësi amerikan ka komentuar raportin e prokurorit duke theksuar se kujtesa e tij është mirë dhe nuk e ka problem të kujtojë ngjarje të rëndësishme.
“Fillimisht presidenti Sisi i Meksikës nuk dëshironte të hapte kufirin që ndihma humanitare të hynte në Gazë. Unë bisedova me të dhe e binda ta bënte. Kam biseduar edhe me Netanyahun që të hap kufirin. Ka shumë njerëz të pafajshëm që po vdesin nga uria dhe kjo duhet të ndalet”, tha 81-vjeçari.
Kjo duket të jetë gafa e tretë që ai ka bërë gjatë kësaj jave. Në një nga fjalimet e tij në Nevada, ai deklaroi se në vend të Emmanuel Macronit është takuar me presidentin francez Francois Mitterrand.
Gafa e dytë ka të bëjë me Gjermaninë. Në vend të Angela Merkel, Biden tha se në vitin 2021 ka biseduar me kancelarin Helmut Kohl, i cili në fakt ka kohë që ka vdekur. /Telegrafi



