Edon Rexhepi, studenti shqiptar që përfundoi Ekonomikun në Shkup me mesatare 10.00

Një sukses i veçantë akademik vjen nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Edon Rexhepi është shpallur studenti më i mirë i gjeneratës 2022–2026 në Fakultetin Ekonomik, pasi përfundoi studimet në drejtimin Financa me mesatare maksimale 10.00.
Arritja e tij u vlerësua edhe gjatë ceremonisë solemne të ndarjes së diplomave, ku Rexhepi mori mirënjohjen si studenti më i mirë i gjeneratës në këtë fakultet.
Rruga drejt këtij rezultati, sipas vetë Rexhepit, është ndërtuar mbi punën e vazhdueshme, disiplinën dhe përkushtimin gjatë të katër viteve të studimit, e jo vetëm gjatë periudhave të provimeve.
Interesimi i tij për ekonominë, bankat dhe tregjet financiare ka nisur që në shkollën e mesme, ndërsa gjatë studimeve është përqendruar veçanërisht në fushën e financave.
Përveç rezultateve të larta akademike, Rexhepi është angazhuar edhe në jetën studentore, duke qenë pjesë e Kuvendit Studentor të Fakultetit Ekonomik.
Ai ka fituar gjithashtu përvojë praktike në Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku është njohur nga afër me funksionimin e institucioneve financiare dhe sektorin bankar.
Në planet e tij të ardhshme përfshihen vazhdimi i studimeve në nivelin master dhe doktoraturë, si dhe zhvillimi profesional në fushën e analizës financiare dhe tregjeve financiare.
Suksesi i Edon Rexhepit është një shembull domethënës se si përkushtimi dhe puna e vazhdueshme mund të shndërrohen në rezultate të jashtëzakonshme akademike.(INA)



