Francë, arrestohen 4 persona në lidhje me daljen e trenit nga shinat ku u plagosën 44 persona

Katër persona janë arrestuar pranë qytetit Rouen në lidhje me daljen e një treni nga shinat në muajin shtator, ngjarje e cila la të plagosur 44 persona në Francën veriperëndimore, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi publik francez Franceinfo, mes të arrestuarve janë një burrë 45-vjeçar dhe dy djemtë e tij, të cilët u ndaluan pranë qytezës Cleon. Në kuadër të hetimeve është ndaluar edhe një person i katërt.
Arrestimet vijnë më shumë se dy muaj pasi një tren rajonal, që udhëtonte nga qytetit Rouen drejt qytetit Caen, doli nga shinat pranë Cleon-it, në departamentin Seine-Maritime, më 11 shtator. Në tren ndodheshin 186 pasagjerë.
Pas daljes së trenit nga shinat, në binarë u gjet një pjesë e hekurudhës. Mes të plagosurve ishte edhe një vajzë 18-vjeçare, e cila pësoi lëndime të rënda.
Hetuesit po shqyrtojnë se si ajo pjesë e hekurudhës përfundoi mbi binarë. Arrestimet nuk përcaktojnë ende përgjegjësinë për daljen e trenit nga shinat.



