Bekim Sali nënshkruan marrëveshje me Kryqin e Kuq për koordinimin e veprimeve në raste emergjente

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka bërë të ditur se ka nënshkruar një marrëveshje me Kryqin e Kuq për koordinimin e lëvizjes dhe veprimeve në raste emergjente.
Sipas Salit, qëllimi i marrëveshjes është që gjatë fatkeqësive institucionet dhe ekipet e Kryqit të Kuq të veprojnë në mënyrë të koordinuar që nga momentet e para, duke pasur përgjegjësi dhe komunikim të qartë.
“Në një emergjencë, për familjen që pret ndihmë, çdo minutë ka rëndësi. Prandaj sot, bashkë me Kryqin e Kuq, nënshkruam Marrëveshjen për Koordinimin e Lëvizjes.
Synimi ynë është që, kur ndodh një fatkeqësi, secili ta dijë çfarë përgjegjësie ka, me kë duhet të komunikojë dhe si mund të ndihmojë. Kështu, institucionet dhe ekipet e Kryqit të Kuq mund të veprojnë së bashku që në çastet e para.
Falënderoj vullnetarët dhe ekipet e Kryqit të Kuq që u gjenden pranë qytetarëve në ditët më të vështira. Si Zëvendëskryeministër i Parë, e shoh si përgjegjësi timen që këtë bashkëpunim ta forcojmë përpara se të na duhet të përballemi me krizën e radhës”, ka shkruar Bekim Sali.



