Mickoski: One Stop Shop lehtëson kalimin kufitar me Shqipërinë, synohet zgjerimi edhe në pikat e tjera

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka vlerësuar se vendosja e sistemit „One Stop Shop” në pikën kufitare me Shqipërinë do të mundësojë lëvizje më të shpejtë dhe më të lehtë të udhëtarëve mes dy vendeve.
Gjatë aktivitetit të përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama, Mickoski tha se në këtë pikë kufitare kalojnë disa milionë udhëtarë në vit, ndërsa sistemi i ri pritet të shkurtojë procedurat dhe të forcojë lidhjet mes qytetarëve.
Ai shprehu pritjen që ky model bashkëpunimi të shtrihet edhe në pikat e tjera kufitare me Shqipërinë.
Sipas Mickoskit, lehtësimi i qarkullimit do të ndikojë pozitivisht edhe në turizëm, veçanërisht në rajonin e Ohrit dhe Strugës, si dhe në bregdetin shqiptar.
Në fillim të fjalimit, Mickoski uroi shqiptarët për 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste për karakterin multietnik dhe kohezionin shoqëror të vendit.
Ai falënderoi institucionet e përfshira në realizimin e projektit, ndërsa mirënjohje të veçantë shprehu për kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e tij në këtë proces.



