Prokuroria e Hagës: Pas dënimit me 25 vjet, Thaçi ka edhe më shumë motiv për t’u arratisur

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë i ka kërkuar gjyqtarit Christopher Gosnell që ish-presidenti Hashim Thaçi të mbetet në paraburgim edhe në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë. Prokuroria pretendon se dënimi me 25 vjet burgim për krime lufte i ka shtuar rreziqet që, sipas saj, Thaçi paraqet nëse lirohet.
Parashtresa, e nënshkruar nga prokurorja Kimberly P. West, është dorëzuar më 16 nëntor, vetëm një ditë para shpalljes së aktgjykimit në këtë rast. Ajo ka të bëjë me rishqyrtimin e dymbëdhjetë të masës së paraburgimit ndaj Thaçit.
Sipas Prokurorisë, janë të pranishme të tria rreziqet që Ligji për Dhomat e Specializuara, në nenin 41(6)(b), i parasheh si bazë për paraburgim: arratisja, pengimi i procedurave dhe kryerja e veprave të reja penale. ZPS-ja thekson se për vazhdimin e paraburgimit mjafton edhe njëri prej tyre.
“Ka mjete financiare dhe aleatë”
Për rrezikun e arratisjes, Prokuroria pretendon se Thaçi mund të ketë qasje në mjete të konsiderueshme financiare, se mund të sigurojë “lehtësisht mbështetje nga aleatët e tij” dhe se mund të udhëtojë drejt shteteve ku Dhomat e Specializuara nuk kanë mundësi kontrolli. Si element shtesë përmendet ajo që Prokuroria e quan model i mosrespektimit të urdhrave të Gjykatës dhe të rregullave të paraburgimit, përfshirë edhe shkelje të kohëve të fundit. Sipas prokurores West, dënimi për krime lufte ia shton Thaçit motivin për t’iu shmangur drejtësisë.
Pesë arsye për rrezikun e pengimit
Pjesën më të madhe të parashtresës Prokuroria ia kushton rrezikut të pengimit të procedurave, të cilin e vlerëson si jashtëzakonisht të lartë. Ajo rendit pesë elemente: dyshimin e bazuar se Thaçi bëri përpjekje të gjera për të penguar gjykimin për krime lufte, rolin udhëheqës që sipas saj ai pati në këto përpjekje, përfshirjen e personave që janë ende të lirë në Kosovë, faktin se përpjekjet e pretenduara prekën edhe dëshmitarë të mbrojtur, si dhe rrezikun e vazhdueshëm të hakmarrjes ndaj tyre.
ZPS-ja përmend edhe atë që e quan klimë të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë. Ajo u referohet protestave pas aktgjykimit të 16 shtatorit dhe postimeve në internet që, sipas saj, kanë bërë thirrje për dhunë. Prokuroria vlerëson se tensionet pritet të shtohen sërish pas aktgjykimit të dytë.
Sipas parashtresës, asnjë kusht lirimi nuk do t’i zvogëlonte mjaftueshëm këto rreziqe. Prokuroria thotë se Thaçi mund të komunikonte përmes personave të tjerë ose pajisjeve të tyre, ndërsa komunikimet e tij jashtë qendrës së paraburgimit nuk do të mund të monitoroheshin në mënyrë efektive. Për këtë arsye, ZPS-ja e konsideron vazhdimin e paraburgimit të domosdoshëm, të arsyeshëm dhe proporcional.
Të nesërmen, 17 muaj burgim
Një ditë pas dorëzimit të parashtresës, më 17 nëntor, gjyqtari Gosnell e dënoi Thaçin me 17 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë. Kjo është shumë më pak se gjashtë vjetët që kishte kërkuar Prokuroria. Në të njëjtin rast, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.
Më 16 shtator, Thaçi ishte dënuar në shkallë të parë me 25 vjet burgim për krime lufte. Në të njëjtin aktgjykim, Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Të dy aktgjykimet janë të shkallës së parë dhe mund të apelohen.
Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Që atëherë, të gjitha kërkesat e mbrojtjes së tij për lirim janë refuzuar.



