Shasivari fal namazin e xhumasë në Manila: “Bota ka shumë kufij, por paqja ka vetëm një gjuhë”

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, gjatë qëndrimit në Manila të Filipineve, ka falur namazin e Xhumasë në Xhaminë e Artë, e përfunduar në vitin 1976, në zemër të kryeqytetit filipinas.

Përmes një njoftimi, Shasivari bëri të ditur se gjatë vizitës ka zhvilluar edhe një takim me Nashif H. Esmail, imamin e madh të provincës Rizal, me të cilin ka diskutuar për vlerat shpirtërore, rolin e bashkësive fetare dhe rëndësinë e dialogut ndërmjet komuniteteve.

“Shkëmbyem mendime mbi vlerat shpirtërore, rolin e bashkësive fetare dhe rëndësinë e dialogut e të bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve”, ka deklaruar Shasivari.

Ai e ka cilësuar këtë vizitë si një moment reflektimi shpirtëror në një vend që karakterizohet nga pasuria kulturore, traditat dhe diversiteti fetar.

Sipas ministrit, falja e namazit dhe takimi me imamin rikujtojnë rëndësinë e vlerave të përbashkëta njerëzore, pavarësisht dallimeve fetare dhe kulturore.

“Ekzistojnë vlera që i bashkojnë të gjithë njerëzit: paqja, mëshira, solidariteti, respekti dhe dinjiteti njerëzor”, ka theksuar ai.

Shasivari gjithashtu ka vënë në pah rëndësinë e dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, duke i cilësuar ato si ura që afrojnë shoqëritë dhe mundësojnë bashkëjetesën.

“Nga Manila, një mesazh për botën: paqja nuk njeh kufij, respekti nuk njeh dallime dhe bashkëjetesa është përgjegjësi e të gjithëve”, ka përfunduar ministri i Drejtësisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button