Ekspertët kërkojnë ndjekjen penale të zyrtarëve të Mianmarit pas vendimit për gjenocid ndaj popullit Rohingya

Një grup ekspertësh ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut ka bërë thirrje për përshpejtimin e ndjekjeve penale ndaj zyrtarëve ushtarakë, pas një vendimi historik të gjykatës së OKB-së, sipas të cilit Mianmari ka kryer gjenocid ndaj muslimanëve Rohingya, transmeton Anadolu.
Këshilli i Posaçëm Këshillimor për Mianmarin përshëndeti vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por theksoi se vendimi duhet të pasohet nga masa konkrete për vendosjen e përgjegjësisë dhe dëmshpërblimin e viktimave.
“Pas shtatë vitesh të gjata e të mundimshme me parashtresa, urdhra paraprak dhe seanca publike, kjo është një ditë thellësisht emocionuese për të gjithë popullin Rohingya”, tha në një deklaratë Yanghee Lee, anëtare themeluese e këshillit.
“Drejtësia është vendosur, por ende nuk është zbatuar”, theksoi ajo.
Këshilli bëri thirrje që vendimi të zbatohet në bashkëpunim me të mbijetuarit e popullit Rohingya dhe komunitetet e tyre, duke theksuar se përgjegjësia duhet të shtrihet përtej përgjegjësisë së Mianmarit si shtet.
“Pas këtij vendimi, shtetet duhet të intensifikojnë dhe përshpejtojnë përpjekjet për ndjekjen penale të Min Aung Hlaing dhe të gjithë zyrtarëve të tjerë ushtarakë të Mianmarit që luajtën rol qendror në kryerjen e gjenocidit”, tha Chris Sidoti, një tjetër anëtar themelues.
Grupi i bëri thirrje Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Mianmarit që të bashkëpunojë me komunitetet Rohingya, organizatat etnike dhe partnerët ndërkombëtarë për zbatimin e vendimit dhe sigurimin e dëmshpërblimeve.
Ai gjithashtu kërkoi angazhim të drejtpërdrejtë me Ushtrinë e Arakanit, e cila kontrollon pjesën më të madhe të shtetit Rakhine, për të siguruar respektimin e vendimit dhe për të parandaluar shkeljet e mëtejshme.
Këshilli paralajmëroi se luftimet dhe mizoritë që vazhdojnë në shtetin Rakhine e bëjnë të pamundur kthimin e sigurt, dinjitoz dhe të qëndrueshëm të refugjatëve Rohingya në kushtet aktuale.
Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve që të mos japin njohje politike dhe të ndalojnë furnizimin me armë, karburant për avionë, teknologji mbikëqyrjeje dhe pajisje me përdorim të dyfishtë.
Grupi kërkoi gjithashtu vendosjen e sanksioneve ndaj institucioneve financiare, konglomerateve dhe bizneseve të kontrolluara nga junta ushtarake.
Sot, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se Mianmari ka kryer gjenocid ndaj muslimanëve Rohingya gjatë operacioneve ushtarake të vitit 2017 në veri të shtetit Rakhine.
Gjykata urdhëroi Mianmarin që të dëmshpërblejë viktimat dhe të marrë masa për parandalimin e shkeljeve të mëtejshme.
“Ky vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm shënon fundin e një kapitulli në luftën e popullit Rohingya për drejtësi”, tha Marzuki Darusman, anëtar themelues i këshillit.
“Sot fillon një kapitull i ri”, theksoi ai.



