Putin: Rusia ka ftuar përfaqësuesit evropianë në Moskë për bisedime mbi sigurinë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Moska përmes kanaleve diplomatike ka ftuar përfaqësuesit evropianë për të diskutuar qëndrimet e tyre lidhur me sigurinë rajonale, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Putin tha se Rusia do të vendosë se si do të vijojë dialogu për Ukrainën pasi të dëgjojë qëndrimin e Evropës.
“Ne duhet të kuptojmë se çfarë do të sjellë Evropa në këto negociata. Prandaj, përmes kanaleve diplomatike, u kemi propozuar evropianëve që të vijnë në Moskë dhe të paraqesin qëndrimet e tyre. Pas kësaj, do të vendosim se në çfarë formati do ta vazhdojmë dialogun për Ukrainën”, tha ai.
Putin deklaroi se SHBA-ja “po këmbëngul vazhdimisht” që Rusia të pranojë pjesëmarrjen e Evropës në negociatat për Ukrainën.
“Ne nuk jemi kundër. Të diskutosh për sigurinë e Evropës pa vetë Evropën do të ishte e çuditshme”, tha ai.
Putin përsëriti kundërshtimin e Moskës ndaj dislokimit të trupave të huaja në Ukrainë, duke argumentuar se dëshira e deklaruar e vendeve evropiane për t’i dhënë fund luftës bie ndesh me propozimet e tyre për dërgimin e trupave në këtë vend.
“Bashkëpunimi i mundshëm ushtarak (ndërmjet Kievit dhe BE-së), në çfarëdo forme, është një çështje së cilës duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë. Ne vazhdojmë ta përsërisim të njëjtin qëndrim, dislokimi i çfarëdo trupe në territorin e Ukrainës është i papranueshëm për ne”, tha ai.
Vendet evropiane, shtoi ai, “me fjalë të tjera”, po thonë se “nuk do të lejojnë paqen në Ukrainë”.
Putin tha se për këtë arsye Rusia i ka ftuar përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE) në Moskë për të diskutuar këto çështje, përfshirë edhe aranzhimet e sigurisë për Ukrainën, Rusinë dhe Evropën në tërësi.
Ai hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se Rusia synon të sulmojë vendet evropiane.
“Çfarë janë këto deklarata për sulme ndaj Evropës? Të gjithë e kuptojnë se ne nuk po kërkojmë luftë me Evropën. Çfarë marrëzie është kjo?”, tha ai.
Putin shtoi se normalizimi i marrëdhënieve me vendet evropiane mund të jetë i vështirë pa ndryshime në udhëheqjen e tyre politike.
“Ndonjëherë më duket se pa një ndryshim të elitave politike në disa vende evropiane, ndoshta nuk mund të bëhet asgjë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, tha ai.



