Plusinfo: BDI rrugës drejt një përçarje të madhe!

Tensionet dhe përplasjet brenda Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) po bëhen gjithnjë e më të dukshme edhe në publik. Portali maqedonas Plusinfo.mk raporton për një debat të zhvilluar në rrjetet sociale mes analistit Sefer Selimi dhe Artin Spahiut, bashkëpunëtor i afërt i ish-zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi.

Sipas Plusinfo.mk, Selimi, i njohur për qëndrimet e tij në mbështetje të politikave të BDI-së dhe afërsinë me nënkryetarin aktual të partisë, Bujar Osmani, ka deklaruar se problemet e Artan Grubit me organet e drejtësisë janë çështje personale dhe nuk duhet të paraqiten si probleme të shqiptarëve.

Në reagimin e tij, Selimi ka theksuar se shqiptarët nuk merren me problemet e Grubit dhe se ai nuk mund ta diktojë më politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut përmes përçarjes së BDI-së. Ai ka kritikuar gjithashtu periudhën kur BDI ishte në pushtet, duke pretenduar se Grubi, në vend që të merrej me problemet e shqiptarëve, ishte angazhuar për çështje të tjera.

Pas këtij qëndrimi ka reaguar Artin Spahiu, i cili e ka akuzuar Selimin se ka rënë në kurthin e, siç i cilëson ai, shpifjeve dhe konstrukteve politike kundër Artan Grubit.

Spahiu pretendon se disa persona brenda BDI-së, në bashkëpunim me VLEN-in, po përpiqen ta paraqesin Grubin si përgjegjës për përçarjen e mundshme të partisë. Në reagimin e tij, ai ka drejtuar akuza edhe ndaj figurave të tjera partiake, duke pretenduar se pikërisht fraksionet, largimet dhe interesat personale të individëve të caktuar e kanë dëmtuar BDI-në.

Ai ka dalë në mbrojtje të Grubit, duke vlerësuar se edhe nga pozita aktuale, ish-zëvendëskryeministri punon për BDI-në më shumë sesa një pjesë e mirë e udhëheqësisë aktuale të partisë. Sipas Spahiut, Grubi po paraqitet si “kurban” për të fshehur përgjegjësinë e të tjerëve.

Sipas analizës së Plusinfo.mk, përplasja mes dy qëndrimeve nxjerr në pah ndarjet e mundshme brenda BDI-së. Nga njëra anë janë ata që kërkojnë distancim nga Artan Grubi, ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë personat që vazhdojnë ta mbrojnë publikisht atë.

Në këtë debat përmendet edhe rivaliteti i mundshëm mes Artan Grubit dhe Bujar Osmanit, dy figurave që kanë pasur ndikim të konsiderueshëm në BDI.

Plusinfo.mk vlerëson se debati se kush e ka dobësuar BDI-në, kush po tenton ta përçajë dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi për gjendjen aktuale të partisë po bëhet gjithnjë e më i hapur, ndërsa përplasjet mes personave të afërt me dy figurat politike mund të thellojnë edhe më tej ndarjet brenda partisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button