Jakup Krasniqi vjen për vizitë familjare në Kosovë

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar për KOHËN se Jakup Krasniqit i është lejuar një vizitë në Kosovë, për siç thanë – arsye bindëse humanitare.
Në përgjigje u theksua se kjo është vizita e 15-të e një të paraburgosuri në Kosovë e cila u autorizua nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare, por nuk u dhanë detaje të tjera për kohën e qëndrimit të Krasniqit në Kosovë apo edhe arsyet konkrete.
Kjo është hera e dytë që ai vjen për vizitë në Kosovë. Herën e parë, ai kishte qëndruar në vendlindje pas vdekjes së vëllait të tij.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues i ka udhëzuar Sekretariatin të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Jakup Krasniqin. Kjo është vizita e 15-të e tillë nga një i paraburgosur në Kosovë, e urdhëruar nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare dhe e menaxhuar nga gjykata deri më sot”, thuhet në përgjigje.
Jakup Krasniqi, njëri nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare në shkallën e parë është dënuar me 25 vjet burgim për krime lufte.



