Trump nis vizitën në Kinë për Samitin e APEC-ut dhe takimin trepalësh me Xi dhe Putin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u prit sot në pistën e aeroportit nga presidenti kinez, Xi Jinping, pas mbërritjes së tij në Kinë për të marrë pjesë në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) dhe në një takim trepalësh me liderin kinez dhe presidentin rus, Vladimir Putin, raporton Anadolu.
Bisedimet trepalëshe, të planifikuara për të enjten në qytetin Shenzhen të Kinës jugore, pritet të përqendrohen në çështjet e çarmatimit bërthamor, luftën Rusi-Ukrainë, Iranin dhe çështje më të gjera tregtare.
Pekini njoftoi se presidentët do të diskutojnë “çështje që kanë të bëjnë me paqen globale”, në një kohë kur vazhdojnë luftërat në Iran dhe Ukrainë, si dhe sulmet izraelite në Gaza.
Kjo do të jetë hera e tretë që Trump dhe Xi takohen këtë vit.
“Do të flasim për çarmatimin bërthamor”, tha më herët Trump, duke pranuar vështirësinë që fuqitë e armatosura me armë bërthamore të heqin dorë nga arsenalet e tyre, por duke shtuar se liderët “kanë mundësi të arrijnë shumë”.
Trump tha gjithashtu se “mund” të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë turneut të tij rajonal, megjithëse Pheniani nuk ka konfirmuar ndonjë marrëveshje të tillë dhe oraret e sakta të takimeve dypalëshe ende nuk janë bërë të ditura.
Vizita vjen pasi Trump u takua me liderët e Japonisë, Australisë dhe Indisë në kuadër të Dialogut të Sigurisë Katërpalëshe (Quad), në kryeqytetin filipinas, Manila, në takimin e parë të liderëve të këtij grupi në më shumë se dy vjet.
Grupi, pa përmendur ndonjë shtet, shprehu shqetësimin për kufizimet “arbitrare” të eksporteve dhe kundërshtoi veprimet e njëanshme në prag të vizitës së presidentit amerikan në Shenzhen.
“Ne kundërshtojmë fuqimisht çdo veprim destabilizues ose të njëanshëm që synon ndryshimin e ‘status quo’-së, përfshirë edhe përmes forcës ose detyrimit, i cili përshkallëzon tensionet dhe minon paqen dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të grupit Quad.
Trump u takua gjithashtu në Manila me liderët e vendeve anëtare të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), e cila ka 11 anëtarë.



