SHBA humbet statusin si “vend pa fruth” pas 26 vitesh, në një kohë kur regjistrohen shifra rekord rastesh

Pas më shumë se dy dekadash, SHBA-ja ka humbur statusin e saj si vend pa fruth, pas dy vitesh me shifra rekord rastesh dhe vdekjesh.
Organizata Panamerikane e Shëndetësisë (PAHO), një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara, konstatoi se në SHBA ka pasur transmetim të pandërprerë të të njëjtit lloj të virusit të fruthit për më shumë se 12 muaj, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Dr. Jarbas Barbosa, drejtor i PAHO-s, njoftoi se edhe Meksika dhe Bolivia e kanë humbur statusin e “eliminimit të fruthit”, duke ia atribuar rishfaqjen e sëmundjes në rajon “mangësive të vazhdueshme në vaksinim”.
Dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) deklaruan se janë të përkushtuara për “rimarrjen e statusit” përmes zgjerimit të qasjes ndaj vaksinave.
Vetëm këtë vit, në SHBA janë regjistruar 5,400 raste me fruth dhe 10 vdekje të lidhura me këtë sëmundje – shifra më e lartë e regjistruar në vend që nga vitet 1990.
Virusi i fruthit – i cili shkakton një skuqje karakteristike me njolla të kuqe – dikur infektonte miliona fëmijë në vit, përpara se të shpikej vaksina.
Ky virus, jashtëzakonisht ngjitës, mund të jetë fatal – me disa pacientë që mund të përballen me komplikacione afatgjata.
SHBA-ja rekomandon dy doza të vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR) për fëmijët e moshës një deri në gjashtë vjeç; kjo vaksinë ofron 97% mbrojtje kundër sëmundjes.
PAHO, një organizatë që funksionon në kuadër të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e hoqi “statusin e fruthit të eliminuar” për SHBA-në, pasi konstatoi se virusi kishte qarkulluar pa ndërprerje për më shumë se një vit.
“Këto shifra janë një paralajmërim serioz për rajonin tonë”, tha të martën drejtori i PAHO-s, Barbosa, gjatë një konference për shtyp. “Fruthi po rishfaqet në nivel global për shkak të mangësive të vazhdueshme në vaksinim”. /Telegrafi/



