Shasivari në konferencën globale në Manila: Mbrojtja e fëmijëve duhet të jetë prioritet i pakompromis i çdo institucioni

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, po merr pjesë në Konferencën e Dytë Globale Ministrore për Eliminimin e Dhunës ndaj Fëmijëve, që po mbahet në Manila të Filipineve, me pjesëmarrjen e ministrave nga 131 shtete, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, ekspertëve dhe organizatave nga e gjithë bota.
Konferenca, e organizuar nga Qeveria e Filipineve në partneritet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF-in, synon të forcojë angazhimin ndërkombëtar për parandalimin dhe eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj fëmijëve.
Shasivari njoftoi se më 19 nëntor do të jetë pjesë e sesionit ndërkombëtar “Connecting Regions, Advancing Solutions: A Cross-Regional Exchange”, ku së bashku me ministra dhe përfaqësues të lartë nga vende të ndryshme do të diskutojë zgjidhjet konkrete dhe bashkëpunimin ndërrajonal në këtë fushë.
Duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve, ministri Shasivari u shpreh se kjo duhet të jetë një nga përgjegjësitë kryesore të institucioneve.
“Si Ministër i Drejtësisë, konsideroj se mbrojtja e fëmijëve duhet të jetë prioritet i pakompromis i çdo institucioni. Drejtësia nuk matet vetëm me reagimin ndaj shkeljeve, por edhe me aftësinë e institucioneve për t’i parandaluar ato dhe për të mbrojtur më të pambrojturit”, deklaroi Shasivari.
Në fokus të diskutimeve të konferencës janë forcimi i mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve, siguria në shkolla, mbështetja e familjeve, mbrojtja nga dhuna në hapësirën digjitale, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Ministri theksoi se angazhimi institucional duhet të përqendrohet te parandalimi dhe mbrojtja konkrete e çdo fëmije.
“Angazhimi ynë është i qartë: më shumë parandalim, institucione më të përgjegjshme dhe mbrojtje konkrete për çdo fëmijë”, theksoi ai.
Në fund, Shasivari nënvizoi se çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një mjedis të sigurt, duke shtuar se kjo e drejtë nuk njeh kufij.



