Bekim Qoku: BDI-ja po përpiqet ta mbrojë Ali Ahmetin nga përgjegjësia për aferën e Alta Bankës

Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar lidhur me përplasjet politike për aferën e Alta Bankës, duke pretenduar se reagimet e BDI-së nuk kanë për qëllim mbrojtjen e partisë, por të liderit të saj, Ali Ahmeti.
Në një postim në rrjetet sociale, Qoku ka krahasuar reagimet e tanishme të strukturave të BDI-së me heshtjen e tyre ndaj aferave të tjera për të cilat, sipas tij, është akuzuar partia.
“BDI-ja, si subjekt politik, nuk ka përfituar asnjë cent nga shitja e aksioneve Alta Bankës. Kjo nuk është si afera e Lotarisë, as si aferat e tjera, prej të cilave ka përfituar edhe partia. Prandaj, këto lloj angazhimesh dhe sakrificash, këto piskama patetike në rrjet për mbrojtjen e Ali Ahmetit nuk i njohim, nuk i kemi parë kurrë për BDI-në për aq kohë sa ajo është në opozitë.
Ajo që po shohim është një përpjekje e organizuar e strukturave të BDI-së, të mbështetura edhe nga disa BDI-istë të maskuar si analistë, për ta nxjerrë të paprekur z. Ali Ahmeti. Për ta mbrojtur asetin e tyre më të çmuar, liderin e tyre shpirtëror, shpëtimtarin dhe mesian e tyre.
Sepse e dinë shumë mirë se, pa Ali Ahmetin, kjo strukturë ekzistuese e partisë do të shembej brenda natës, si një kullë prej letrash”, ka shkruar Bekim Qoku.
Ai ka përmendur edhe çështjet e Lotarisë, Soravias, Eurovias dhe pretendimet për ndikimin e ashtuquajturës “Botë Serbe”, duke akuzuar strukturat e BDI-së se po përpiqen ta mbrojnë personalisht Ali Ahmetin nga përgjegjësia politike.



