Fronti Prindëror: Ligji i Mila Carovskës dhe Pançe Toshkovskit – Operacion juridik për shkatërrimin e familjes

Organizata “Fronti Prindëror” ka reaguar ashpër ndaj ndryshimeve të propozuara në Ligjin për dhunën në familje, të promovuara nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Përmes një reagimi publik, organizata pretendon se ndryshimet nuk përfaqësojnë një ligj të ri, por një version të përpunuar të ligjit të mëparshëm, duke ngritur shqetësime për kompetencat e policisë dhe ndikimin e tyre në të drejtat prindërore.

Sipas organizatës, përkufizimi i personave transgjinorë në projektligj mund të krijojë hapësirë për ndërhyrjen e institucioneve në rastet kur prindërit nuk pajtohen me identitetin gjinor të fëmijëve të tyre. Ata pretendojnë se kufiri ndërmjet edukimit prindëror dhe dhunës psikologjike nuk është përcaktuar qartë.

“Ky nuk është ligj i ri, siç e promovon me bujë Pançe Toshkovski. Ky është një ligj i përpunuar i Mila Carovskës, vetëm me shumë më tepër kompetenca policore dhe mbi një platformë ideologjike, duke u fshehur pas luftës legjitime kundër dhunës në familje.

Në nenin 3, paragrafi përkatës, përcaktohet shprehimisht termi ‘person transgjinor’ si çdo person që nuk identifikohet me gjininë e përcaktuar në lindje, pa asnjë kufizim moshe. Kjo, sipas nesh, hap mundësinë që institucionet të ndërhyjnë edhe në rastet kur prindërit nuk pajtohen me identitetin gjinor të fëmijëve të tyre.

Shteti vendoset mbi prindin. Të drejtat kushtetuese, paprekshmëria e shtëpisë, prezumimi i pafajësisë dhe e drejta për mbrojtje vihen drejtpërdrejt në pikëpyetje.

Ky nuk është ligj kundër dhunës. Ky është konsolidim juridik i një ideologjie radikale. Nëse miratohet, autoriteti prindëror do të dobësohet, familja do të cenohet dhe siguria juridike do të zhduket.

Kjo duhet të ndalet. Prandaj po fillojmë një seri publikimesh, në të cilat do të shpjegojmë publikisht dhe me argumente se si ndryshimet e propozuara në Ligjin për dhunën në familje, sipas vlerësimit tonë, cenojnë rolin e familjes dhe sjellin ndërhyrje policore me kompetenca diskrecionale.

Prindërit do ta thonë fjalën e tyre për këto dhe manipulime të ngjashme!”, thuhet në reagimin e organizatës “Fronti Prindëror”.

Organizata ka paralajmëruar se do të vazhdojë me publikimin e materialeve të tjera, përmes të cilave synon të argumentojë kundërshtimet e saj ndaj ndryshimeve ligjore.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button