Rubio kritikon ashpër Gjykatën Penale Ndërkombëtare, shoqërohet me duartrokitjet e juristëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka kritikuar ashpër Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe OKB-në gjatë një fjalimi drejtuar juristëve dhe studentëve të drejtësisë, duke u pritur me duartrokitje të fuqishme nga të pranishmit, transmeton Anadolu.
Duke folur në Konventën Kombëtare të Shoqatës Federaliste, një organizatë që e përshkruan veten si grup konservator, Rubio tha se Departamenti i Shtetit kishte dëgjuar vazhdimisht pretendime për shkelje të së drejtës ndërkombëtare lidhur me “pothuajse çdo vendim apo veprim madhor të politikës së jashtme” të administratës së presidentit Donald Trump.
Ai përmendi urdhrin e presidentit Trump drejtuar ushtrisë për të fundosur anijet e karteleve të drogës në Karaibe, duke theksuar se Washingtoni ishte akuzuar për shkelje të së drejtës ndërkombëtare për shkak të këtyre sulmeve.
Rubio tha se edhe prokurori i parë i asaj që ai e quajti “Gjykata Penale Ndërkombëtare e rreme dhe jolegjitime” kishte akuzuar SHBA-në për krime kundër njerëzimit.
Sipas tij, akuza të ngjashme ishin ngritur edhe nga OKB-ja kur forcat amerikane kapën presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, në janar të këtij viti dhe e dërguan atë në SHBA për t’u përballur me akuzat penale federale.
“Për këtë elitë globale, e drejta ndërkombëtare nuk është një tërësi neutrale rregullash. E drejta ndërkombëtare është një instrument, një mjet për të çuar përpara interesat e tyre, nën maskën e parimeve universale”, tha Rubio.
Rubio mbrojti vendimin e “paprecedentë të Trumpit për të vendosur sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare të rreme”, duke e cilësuar atë si një “gjykatë botërore të pazgjedhur”, e cila pretendon se ka juridiksion mbi shtetet sovrane, përfshirë edhe ato që nuk e kanë pranuar kurrë juridiksionin e saj.
“Amerikanët nuk kanë rënë kurrë dakord t’i nënshtrohen autoritetit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, por kjo gjykatë dhe aleatët e saj në burokracinë globale e kanë emëruar veten gjykatës, juri dhe ekzekutues të rendit ndërkombëtar”, tha ai.
“Ata mendojnë se kanë të drejtë të sundojnë mbi të gjithë, por nuk japin llogari para askujt”, shtoi ai.
Kryediplomati amerikan bëri gjithashtu paralele me sistemin gjyqësor të SHBA-së, duke akuzuar “gjykatat aktiviste” se po përpiqen të “qeverisin përmes vendimeve gjyqësore”.
Ai argumentoi se kritikët e administratës e shohin “qëllimin themelor të ligjit, si atij amerikan, ashtu edhe atij ndërkombëtar”, si një mjet për dobësimin e SHBA-së.
Rubio i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se ato nuk kanë asnjë bazë në historinë amerikane.
“Nuk ka asgjë, absolutisht asgjë në historinë tonë, apo në historinë e ndonjë kombi tjetër të madh, që na detyron të njohim autoritetin apo legjitimitetin e ndonjërës prej këtyre ideve qesharake”, tha ai.



