Britani, dënohen 2 persona për spiunazh në favor të Iranit

Policia britanike ka bërë të ditur se dy shtetas iranianë janë shpallur fajtorë për spiunazh në favor të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), transmeton Anadolu.
Policia Metropolitane njoftoi se Mostafa Sepahvand (41-vjeç) dhe Farhad Manesh (46-vjeç) u shpallën fajtorë për spiunazh në favor të Iranit pas një hetimi të zhvilluar nga Njësia e Policisë Kundër Terrorizmit në Londër (CTP).
Të dy u dënuan për përfshirje në veprimtari që “ka të ngjarë t’i vijnë në ndihmë IRGC-së”, pas një gjyqi gjashtëjavor në Gjykatën Penale të Woolwich-it. Sipas policisë, Sepahvand u shpall fajtor edhe për kryerjen e përgjimeve, zbulimin paraprak dhe kërkimet në burime të hapura, me qëllim kryerjen e akteve të dhunës së rëndë ndaj një personi në Mbretërinë e Bashkuar.
Objektivat e përgjimit përfshinin dy gazetarë, një avokat dhe një profesionist të prodhimit mediatik, bëri të ditur policia.
Manesh e ndihmoi Sepahvandin gjatë përgjimeve, por u shpall i pafajshëm për akuzën sipas nenit 18 të Ligjit për Sigurinë Kombëtare, lidhur me kryerjen e këtyre veprimeve “me qëllimin që akte të tilla, përkatësisht dhunë e rëndë ndaj një personi në Mbretërinë e Bashkuar, të kryheshin nga persona të tjerë”.
“Pas arrestimeve, ekipi hetimor punoi me përkushtim dhe shpejtësi për të përkthyer në anglisht mijëra mesazhe në gjuhën perse dhe më pas përdori të dhënat e antenave të telefonisë celulare për të ndërtuar një dosje bindëse mbi veprimtarinë e përgjimit”, tha në deklaratë Vicki Evans, koordinatore e lartë kombëtare e Policisë Kundër Terrorizmit.
Policia bëri të ditur se përgjimet, zbulimi paraprak dhe kërkimet në burime të hapura u kryen gjatë periudhës nga gushti i vitit 2024 deri në mars të vitit 2025.
Gjatë seancave në Gjykatën Penale të Woolwich u bë e ditur se oficerët e Njësisë së Policisë Kundër Terrorizmit në Londër kishin zbuluar në telefonat celularë të tre personave dokumente informuese, të cilat përmbanin hollësi lidhur me objektivat e përgjimit.



