Kryeparlamentari Gashi bashkëbisedon me gjimnazistët për demokracinë dhe rolin e Kuvendit

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim me një grup nxënësish të gjimnazit “Algoritam”, me të cilët ka bashkëbiseduar për rolin dhe rëndësinë e Kuvendit në jetën institucionale dhe demokratike të vendit.
Përmes një njoftimi, Gashi bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për funksionin e institucionit ligjvënës dhe rëndësinë e tij në funksionimin e demokracisë.
Ai tha se i ka inkurajuar të rinjtë të jenë sa më aktivë në shoqëri, të zhvillojnë mendimin kritik dhe të angazhohen për një të ardhme më të mirë.
“Të rinjtë janë energjia dhe perspektiva e zhvillimit të shoqërisë sonë”, theksoi Gashi, duke vënë në pah rëndësinë e përfshirjes së gjeneratave të reja në jetën shoqërore dhe demokratike.



