Kurti nga Parisi i kërkon udhëheqjes së re të Serbisë ta njohë pavarësisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje udhëheqjes së re të Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar gjithashtu dorëzimin e Milan Radoiçiqit, organizatorit të sulmit në Banjskë më 2023, transmeton Anadolu.
Duke folur para studentëve të Paris School of International Affairs (PSIA), Kurti tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

“Ky proces duhet të përfshijë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, duke filluar me dorëzimin e Milan Radoiçiqit, arkitektit kryesor të tij, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se Serbia duhet ta njohë realitetin e Kosovës si shtet të pavarur dhe të ndalojë fushatën kundër njohjes së saj ndërkombëtare.

“Serbia mbetet aleate e ngushtë e Rusisë, me politika që vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për sigurinë e vendit tonë”, tha Kurti, duke përmendur gjithashtu praninë e një qendre të ashtuquajtur humanitare ruse në Nish dhe bazat ushtarake e të xhandarmërisë serbe pranë kufirit me Kosovën.

Kryeministri tha se sulmi në Banjskë kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës sipas modelit të Krimesë, ndërsa theksoi se vendi ka rritur shpenzimet për mbrojtjen në vitet e fundit, duke i tejkaluar vazhdimisht 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Duke folur për integrimin ndërkombëtar, Kurti tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke nënvizuar nevojën për njohjen e pavarësisë nga pesë vendet e BE-së dhe katër vendet e NATO-s që ende nuk e kanë bërë këtë.

“Ne nuk shohim alternativë ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, sepse nuk duam asnjë alternativë ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, deklaroi ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button