Aktivistët ngrenë flamurin palestinez para parlamentit gjerman

Flamuri kombëtar i Gjermanisë është zëvendësuar me një flamur palestinez në një shtizë para parlamentit, ndërsa aktivistët dënuan politikën pro-izraelite të qeverisë dhe heshtjen e saj ndaj krimeve të luftës në Gaza, transmeton Anadolu

Grupi ‘Peacefully Against Genocide’ (Paqësisht kundër gjenocidit) tha se ky veprim kishte për qëllim të shprehë solidaritet me popullin palestinez dhe të protestojë kundër mosveprimit të politikanëve gjermanë përballë shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe gjenocidit ndaj palestinezëve.

Aaron, anëtar i grupit, tha në një komunikatë për media se qeveritë në mbarë botën nuk veprojnë në emër të popujve të tyre kur heshtin, lejojnë ose mbështesin gjenocidin në Palestinë.

“Pavarësisht se ku kryhet një gjenocid në botë, ai na prek të gjithëve. Ne nuk duhet t’i shmangemi përgjegjësisë sonë për të ndalur krimet kundër njerëzimit”, tha ai.

Ai tha se grupi dëshiron t’i dërgojë një mesazh popullit gjerman dhe shtroi pyetjen se çfarë kuptimi ka shprehja “kurrë më”, nëse njerëzit lejojnë që kjo të ndodhë sërish.

“Çfarë kuptimi ka e drejta ndërkombëtare nëse qeveritë nuk e respektojnë atë? Çfarë vlere kanë të drejtat e njeriut nëse ato nuk vlejnë për të gjithë?”, pyeti ai.

“Kur ferri i gjallë bëhet realitet, ne si shoqëri civile duhet të marrim përgjegjësinë tonë dhe të ngrihemi në mbrojtje të lirisë dhe jetës së të gjithëve”, shtoi ai.

Policia e Berlinit njoftoi se tre aktivistë u arrestuan në vendngjarje dhe se ka nisur një hetim nën dyshimin për fyerje ndaj shtetit dhe simboleve shtetërore.

Grupi ‘Peacefully Against Genocide’ njoftoi se në ditët në vijim do të organizojë protesta të tjera kundër politikës së qeverisë gjermane dhe vazhdimit të furnizimit me armë të Izraelit. Protestuesit do t’i bëjnë thirrje kompanisë së prodhimit të armëve Rheinmetall të ndalojë të gjitha dërgesat drejt Izraelit dhe të mbyllë objektin e saj në Berlin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button