Raporti i KE-së, Bekim Qoku e nxjerr në rrenë Bujar Osmanin

Koordinatori i Grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku i është kundërpërgjigjur Bujar Osmanit duke e akuzuar për manipulim të fakteve dhe keqinterpretim të Raportit të progresit të Komisionit Evropian me qëllim të krijimit të një narrative të rreme politike.
Qoku thekson se Raporti aktual nuk evidenton vështirësi në zbatimin e gjuhës shqipe dhe as nuk konstaton pabarazi ndëretnike, ndërsa marrëdhëniet ndëretnike i vlerëson si stabile.
Ai e cilëson veçanërisht hipokrite pretendimin se bëhet fjalë për një konstatim të paprecedentë, duke rikujtuar se raportet e mëhershme të Komisionit Evropian kanë evidentuar vazhdimisht mangësi në zbatimin e të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimin e komuniteteve.
Ai sjell si dëshmi raportet e viteve 2009, 2021, 2022, 2023 dhe 2024, në të cilat janë evidentuar mungesa e përkthyesve, personelit dhe financimit, rekomandimet e pazbatuara për dygjuhësinë në gjyqësor, si dhe përfaqësimi i pamjaftueshëm i komuniteteve joshumicë në nivel lokal.
“Si e merr guximin një figurë si z. Osmani, që ka mbajtur gjithë ato poste publike të shpifë kaq hapur vetëm për të fituar dy-tre pëlqime? Si ia mban ndërgjegjja këto të pavërteta? Thua të jetë nga ushtrimi i gjatë?”, thuhet në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Në fund ai vlerëson se faktet dhe raportet zyrtare janë lehtësisht të verifikueshme dhe se askush nuk mund ta ndryshojë përmbajtjen e dokumenteve evropiane për përfitime të ditës.
“Në tekst raportohet për protestën e studentëve për provimin e jurisprudencës, por kjo bëhet pa vlerësim, jepet thjesht si vëzhgim”, thekson mes tjerash deputeti Qoku.



