Kurti: Kosova meriton të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Republika e Kosovës meriton të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.
Kurti priti të mërkurën në mbrëmje Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Dirk Schuebel, i cili pranoi Raportin e Progresit për vitin 2026 nga Komisioni Evropian për Kosovën.
Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se pozita e Kosovës e procesin e anëtarësimit në BE nuk e pasqyron progresin që e ka bërë ajo si shtet.
“Kosova meriton të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociata sa më shpejt që të jetë e mundur”, theksoi Kurti.
Kurti ka thënë se integrimi në BE mbetet prioritet strategjik afatgjatë i Qeverisë së Kosovës, ndërsa përkushtimi për anëtarësim në BE gëzon mbështetje te popullsia dhe se për të ka konsensus të gjerë ndërpartiak.
Kryeministri kosovar tha se edhe një muaj bëhen katër vjet që kur Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se përkundër kësaj, Kosova ende mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status të vendit kandidat për anëtarësim.
“Përveç përkrahjes politike nga Komisioni Evropian për të nisur procesin teknik, ende nuk ka pasur ndonjë lëvizje nga shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për t’i dhënë Komisionit mandatin politik për të nisur këtë proces”, ka deklaruar Kurti, duke i kërkuar ambasadorit Schuebel që sa më parë Kosovës t’i dorëzohet pyetësori rreth aplikimit, në mënyrë që të hapet rruga për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.
Kurti tha se kjo duhet të ndodhë tani që Kosova ka institucione stabile dhe funksionim demokratik dhe ka përshpejtuar dinamikën e reformave për integrim në BE, në veçanti të reformave prioritare të Planit të Rritjes.
Më herët, Raportin e Progresit e pranoi nga ambasadori Schuebel edhe presidentja e vendit Justina Shiroka Pula, e cila tha se Kosova është vend proevropian dhe se anëtarësimi në BE mbetet synim strategjik i Kosovës dhe se institucionet e vendit janë të përkushtuara për avancimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit, funksionimin demokratik të institucioneve dhe përmbushjen e standardeve evropiane.



