Sejdiu: Ne po e zgjidhim provimin e jurisprudencës, BDI nuk e bëri për 22 vite!

Përfaqësuesi i lartë i VLEN-it, Blerim Sejdiu, ka kritikuar BDI-në për moszgjidhjen e çështjes së provimit të jurisprudencës për studentët shqiptarë gjatë 22 viteve të qeverisjes së saj.
Në emisionin “Click Plus” në TV21, Sejdiu deklaroi se Qeveria aktuale është e para që po e hap këtë çështje dhe po punon për ta bërë realitet mundësinë që studentët shqiptarë të kenë qasje të barabartë në provimin e jurisprudencës.
“Pse nuk e zgjidhët ju për 22 vjet provimin e jurisprudencës? Keni pasur shumicë parlamentare, keni pasur momente historike gjatë mandatit tuaj, por asnjëherë nuk është hapur kjo temë. Ne jemi qeveria e parë që e hapim një temë të tillë për studentët”, deklaroi Sejdiu, duke iu drejtuar përfaqësuesve të BDI-së dhe Lidhjes Shqiptare, Arta Bilalli Zendelit dhe Elmi Azirit.
Ai theksoi se zgjidhja ligjore e kësaj çështjeje përbën një mundësi të re për studentët shqiptarë, të cilët, sipas tij, “deri më tani nuk e kanë pasur një mundësi të tillë”.
“Çështja e jurisprudencës, një gjë që nuk ka qenë dhe tani do të jetë, është një arritje, sepse studentët shqiptarë nuk kanë pasur një mundësi të tillë dhe tani e kanë këtë mundësi. Ne jemi tani duke e zgjidhur dhe po e bëjmë realitet. Ju keni manipuluar me qytetarët qe 22 vite”, u shpreh Sejdiu duke i replikuar Bilalli Zendelit nga BDI.



