Durmishi: Po ia ngushtojmë hapësirën bixhozit online!

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ka njoftuar se edhe 104 faqe të tjera të bixhozit online janë përfshirë në vendimin e ri për bllokim. Me këtë vendim, numri i përgjithshëm i platformave të bllokuara ka arritur në 462.
Durmishi ka theksuar se lufta kundër bixhozit online do të vazhdojë, duke e cilësuar atë si një rrezik që prek familjet dhe mundëson qasje të lehtë edhe për të miturit.
“Po ia ngushtojmë hapësirën bixhozit online!
Edhe 104 faqe tjera janë përfshirë në vendimin e ri për bllokim. Gjithsej, numri ka arritur në 462. Zotimi ynë kundër bixhozit vazhdon dhe nuk do të ndalet.
Kemi thënë se këtë sëmundje të keqe të kumarit në telefon, hap pas hapi, do ta heqim, meqë është rrezik që prek drejtpërdrejt çdo familje dhe ua bën bixhozin lehtësisht të arritshëm edhe të miturve. Këtë nuk do ta lejojmë!
Andaj, kjo betejë vazhdon. Çdo platformë e paligjshme që bllokohet është një derë më pak për bixhozin në shtëpinë e çdo qytetari”, ka shkruar Durmishi.



